English

Kapen 3 kosovarë, në port me dokumente false

Durrës, 12 prill, NOA - Tre kosovarë janë ndaluar nga forcat policore të Portit të Durrësit, pasi tentuan të kalojnë kufirin përmes tij, duke u paraqitur autoriteteve dokumente të falsifikuara.

Lajmi bëhet me dijeni prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se i ndaluari i parë është 35-vjeçari Agron Sulaj, lindur e banues në Prizren, i cili kishte në pasaportën kosovare dhe një leje qëndrimi zviceriane në emër të tij, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.

Ndërsa kosovari i dytë i ndaluar mban inicialet Z.G., 30-vjeç, edhe ky lindur e banues në Prizren, i cili tentoi të kalojë kufirin me një pasaportë kosovare, një letërnjoftim kosovar dhe një vizë sllovene, të cilat dyshohet se i përkasin një shtetasi tjetër dhe janë përdorur duke shfrytëzuar ngjashmërinë fizike me të.

Në fund, e ndaluar është një 22-vjeçare kosovare J.T., lindur e banuese në Skënderaj, e cila donte të përdorte për udhëtim një pasaportë serbe ku ndodhej e stampuar në formën e pullës një leje qëndrimi gjermane në emër të një shtetase tjetër me të cilën kishte ngjashmëri fizike.

Materialet proceduriale për veprën penale të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave për të tre këta persona, iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.

n.e/NOA

KOMENTE