English

Ministri i Jashtëm italian në Tiranë, deklaratat e plota të Fratinit dhe Metës

Speciale për vizitën e Fratinit në Shqipëri

Tiranë, 12 Prill NOA Update - Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, z. Franco Frattini zhvilloi një axhendë zyrtare sot në Shqipëri ku mbërriti me ftesë të Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta. Në takimin e zhvilluar, të dy u shprehën se "partneriteti strategjik shënon fazën më të lartë të bashkëpunimit".

Meta dhe Fratini nënshkruan protokollin e bashkëpunimit për zhvillim për periudhën 2010-2012 me vlerë prej 51 milionë euro. Në këtë kuadër, Fratini tha se Duke u ndalur në argumentin e heqjes së barrierës së vizave, z.Meta pohoi se Frattini është arkitekti i procesit për liberalizimin e vizave.

Kurse evidentoi se "Qeveria shqiptare ka bërë një progres spektakolar në të katër blloqet, dhe të gjitha detyrimet teknike për ne janë të përmbushura".

Ndërsa z.Fratini vlerësoi se Shqipëria ka kryer me të vërtetë hapa përpara në integrimin e saj duke siguruar menjëherë më pas, se "Italia do të punojë fort që procedura e njohjes së statusit të kandidatit për Shqipërinë, të përfundojë brenda këtij viti".

"Synimi ynë politik, - tha Frattini, - është përfitimi i një propozimi pozitiv për vizat nga Komisioni para fundit të muajit maj".

Kurse plotësoi se shpallja e vendimit synohet të bëhet në Samitin e Sarajevës në 2 Qershor duke shprehur besimin se "Këshilli i Ministrave të Jashtëm mund të marrë një vendim formal përpara fillimit të verës".

Ndaj Frattini hodhi shpresën se "shqiptarët mund të bëjnë vizitën e parë jashtë pa viza, në vjeshtë 2010".

Në takimin mes Fratinit dhe Metës si dhe në konferencën e përbashkët për shtyp, një vend të veçantë zuri dhe argumenti politik në vend.

Frattini theksoi se zgjedhjet janë monitoruar nga OSBE-ODHIR, dhe rezultatet janë gjykuar "si absolutisht të rregullta duke respektuar sistemin e zgjedhjeve elektorale".

Në këtë kuadër ai sugjeroi se "forcat politike kanë përgjegjësi të madhe të punojmë së bashku në parlament për ta çuar Shqipërinë në BE".

Më poshtë ndiqni deklaratat e plota të Metës dhe Fratinit:

Deklaratë e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta

"Duke ju falenderuar të gjithëve për pjesëmarrjen, përfaqësues të mediave shqiptare, italiane dhe ndërkombëtare, dua të shpreh kënaqësinë e veçantë që në një ditë kaq të mrekullueshme dhe plot diell kemi një nga miqtë më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Ministrin e Jashtëm të Italisë Franco Frattini, i cili përveç pranverës shqiptare ka gjetur këtu edhe pranverën italiane përmes publicitetit të saj në rrugët e kryeqytetit tonë, dhe pranvera është stina më e mirë që simbolizon raportet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Vetëm dy muaj më parë, Kryeministrat e dy vendeve tona z. Berisha dhe z. Berluskoni, nënshkruan në Romë deklaratën e përbashkët për partneritetin strategjik, dokumenti më i rëndësishëm politik që shënon fazën më të lartë të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, atë të një partneriteti të ngushtë strategjik.

Me z. Frattini ne diskutuam për të gjitha fushat e marrëdhënieve tona dhe për horizontet e reja të hapura në të gjithë këto fusha pas nënshkrimit të këtij dokumenti të partneritetit strategjik.

Italia është partneri kryesor ekonomik dhe tregtar, italianët janë investitorët kryesorë në Shqipëri në shumë fusha të rëndësishme ashtu sikurse ne sot do të nënshkruajmë edhe protokollin e bashkëpunimit për zhvillim për periudhën 2010-2012 midis dy vendeve tona me një vlerë prej 51 milionë eurosh, me fokus të veçantë kreditimin dhe nxitjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme private në zhvillimin e zonave rurale, modernizimin e bujqësisë por edhe zhvillimin e politikave të punësimit në fushat e arsimit dhe shëndetësisë.

Megjithatë, e di se shumë prej jush nuk e kanë mendjen tek këto tema për të cilat po flas, dhe shumë të tjerë që na ndjekin nëpërmjet televizioneve nuk e kanë mendjen tek këto tema që unë po prek. Dhe kjo nuk është për fajin apo meritën time por është për fajin apo meritën e z. Frattini, sepse emri i tij është i lidhur ngushtësisht më një proces madhor për gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë, që është ai i liberalizimit të vizave. Dhe është një e vërtetë e madhe që Z. Frattini është arkitekti i këtij procesi dhe udhërrëfyesi të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor në kohën që ai ishte Zv. President i Komisionit Evropian, dhe të gjithë e dinë se edhe sot Ministri i Jashtëm i Italisë z. Fratini është një nga nxitësit dhe avokatët më të fuqishëm të liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Por sigurisht ai do të ketë mundësinë që të shprehet vetë për çështjet që ne kemi diskutuar.

Ajo që mund të them si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, duke qenë se kjo Ministri mban edhe përgjegjësinë e koordinimit të gjithë procesit, të përmbushjes së detyrimeve të liberalizimit të vizave, është se Qeveria shqiptare gjatë këtyre tetë muajve të fundit në mënyrë të veçantë, ka bërë një progres spektakolar në të katër blloqet, dhe të gjitha detyrimet teknike për ne janë të përmbushura. Liberalizimi i vizave për qytetarët tanë nuk është thjesht një mundësi për të shkuar jashtë, sepse një e treta e qytetarëve tanë ndodhet jashtë, qindra mijëra të tjerë kanë në pasaportat e tyre viza Shengen. Por kjo është një çështje në radhë të parë dinjiteti njerëzor dhe besojmë se e meritojmë për shkak të kushteve që kemi realizuar.

Njëkohësisht e kam falenderuar Ministrin e Jashtëm Frattini për gjithçka që Qeveria e tij ka bërë për integrimin e shkëlqyer, do të thoja, të komunitetit shqiptar që jeton në Itali që është një ndër më të integruarit atje. Kam shprehur dhe njëherë mirënjohjen tonë më të thellë për nënshkrimin e marrëveshjes së patentave që është një lehtësi shumë e madhe për qindra mijëra qytetarë shqiptarë dhe njëkohësisht kam kërkuar dhe shpresoj që sa me shpejt të arrijmë një marrëveshje në fushën e pensioneve që do të ishte përsëri një rezultat shumë i prekshëm në marrëdhëniet tona të shkëlqyera për qytetarët shqiptarë.

Njëkohësisht kemi rënë dakord për të parë edhe mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje midis dy Ministrive të Jashtme, e cila ka të bëjë me mbështetjen reciproke për sa i takon përfaqësimit diplomatik apo shërbimeve konsullore në botë. Po kështu, Ministri Frattini ka shprehur mbështetjen më të fortë për integrimin e Shqipërisë në të gjitha rrjetet trans-evropiane të transportit apo energjisë, ku në mënyre të veçantë do të theksoja edhe një herë promovimin e Korridorit të 8-të, për të cilin do ketë dhe një ministerial të afërt të Ministrave të transportit të vendeve të interesuara. Po kështu ne mbështesim fuqimisht nismën adriatiko-joniane ku Italia ka një rol të veçantë dhe kryesor, dhe kemi rënë dakord të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer në kuadrin e të gjithë organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.

Kemi diskutuar edhe për çështje të tjera bashkëpunimi në rajonin tonë dhe në këtë drejtim unë besoj në angazhimin e mëtejshëm të Italisë dhe të Ministrit të Jashtëm Frattini për të kontribuar si deri tani për forcimin e sigurisë në rajonin tonë, për të konsoliduar më tej paqen dhe për të krijuar kushtet më të mira për një prosperitet ekonomik dhe social për gjithë qytetarët e rajonit tonë pa dallime etnike. Besoj se kësaj do ti shërbejë edhe vizita e Ministrit të Jashtëm z. Fratini në Kosovë. Me kaq po e ndërpres, se të flasësh për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë do të duhet një kohë shumë e gjatë si për shembull Pranvera Italiane që zgjat tre muaj. Tani fjala është për kolegun e nderuar z. Frattini".

Deklaratë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, z. Franco Frattini

"Falenderoj kolegun dhe mikun shqiptar Ilir Meta, për këtë mikpritje të ngrohtë që më rezervoi edhe një herë në Tiranë. Z. Meta foli pikërisht për këto pika të shkëlqyera të bashkëpunimit që ekziston midis dy vendeve tona, pika që unë mundem vetëm t'i konfirmoj dhe të angazhohem që do të vazhdoj t'i përforcoj. Pikërisht miqësia jonë nuk mbetet vetëm në nivelin e Qeverive por edhe të popujve tanë. Kjo dëshmohet edhe nga prania e një komuniteti të madh në numër shqiptarësh të cilët janë integruar më së miri në jetesën, në territorin italian për sa i përket aspektit shoqëror, ekonomik dhe më gjerë.

Ndoshta jo shumëkush është në dijeni të faktit që në Itali studiojnë rreth 20 mijë studentë shqiptarë në universitete të cilët janë integruar më së miri dhe përbëjnë komunitetin e parë të studentëve të huaj në Itali. Dhe do të doja të theksoja faktin se kjo pranverë italo-shqiptare me aktivitetete dhe veprimtari që po zhvillohen, është një nismë që konfirmon më tej miqësinë e jashtëzakonshme që ekziston midis dy vendeve tona, çka vë në pah gjithashtu faktin se Italia zë vendin e parë, partnerin e parë të Shqipërisë për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, tregtare, shoqërore, por gjithashtu zë vendin e parë edhe për sa i përket marrëdhënieve në aspektin apo spektrin evropian. Unë do të punoj fuqishëm dhe në mënyrë të favorshme për sa i përket edhe një marrëveshjeje të mundshme për të përfaqësuar Shqipërinë, pra nëpërmjet Italisë, në ato vende ku ajo nuk është e pranishme, pra në vende të tjera të botës, ku ajo nuk është e pranishme nëpërmjet përfaqësive diplomatike apo shërbimeve konsullore.

Për sa i përket projektit mjaft të rëndësishëm siç është ai i Korridorit të 8-të, ne mbështesim fort këtë nismë dhe sikurse u konfirmua edhe nga Ministri Meta, në datën 29 prill do të realizohet në Tiranë një takim mes Ministrave të Transporteve të dy vendeve tona, sigurisht edhe me praninë e Ministrave të Transporteve të Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe më përfaqësues të organizmave financiarë të cilët do të mundësojnë nxitjen e kësaj iniciative, e cila është mjaft e rëndësishme për sa i përket sektorit infrastrukturor të transporteve në Evropë. Duke qenë se Ministri Meta e konfirmoi edhe firmosjen, nënshkrimin e protokollit të bashkëpunimit për zhvillim për periudhën 2010-2012, tashmë do të përqendrohem më tej në perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Qeveria italiane, Ministria jonë dhe unë personalisht jemi më se të bindur që rajoni i Ballkanit është një rajon evropian dhe prirjet e tij drejt Evropës duhet të inkurajohen më tej dhe duhet të mbështeten. Bëhet fjalë për një rajon që nuk ka perspektivë tjetër përveç asaj të integrimit në BE. Ballkani nuk mund të trajtohet si një paketë, dhe secili prej vendeve duhet të vlerësohet sipas meritave dhe rezultateve të tij. Shqipëria ka kryer me të vërtetë hapa të mëdha përpara, Shqipëria ka paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE dhe ne më të vërtetë luftuam shumë në mënyrë që kërkesa, dosja e Shqipërisë ti paraqitej zyrave të Komisionit Evropian dhe të merrej në shqyrtim prej tij.

Shqipëria ndodhet në fazën e përpilimit të përgjigjeve të Pyetësorit të parashtruar nga Bashkimi Evropian dhe pas përpilimit të këtyre përgjigjeve më tej do të merret në shqyrtim fakti nëse Shqipërisë do ti njihet statusi i vendit kandidat në BE. Italia do të punojë fort në Evropë në mënyrë që pikërisht procedura e njohjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, të përfundojë brenda këtij viti. Ne jemi të bindur se do të kemi angazhim të madh nga ana e autoriteteve shqiptare, por një mesazh evropian nuk mund të mungojë për të njohur këto përpjekje të Qeverisë shqiptare. Ndërsa një perspektivë me afate kohore më të shkurtra është ajo që i përket liberalizimit të vizave.

Komisioni Evropian ka marrë në shqyrtim hapat që janë ndërmarrë nga Shqipëria në përputhje me të gjitha kërkesat që u parashtruan nga ky Komision. Në cilësinë time si Nën Kryetar i Komisionit Evropian kur mora në dorë dosjen e Shqipërisë mendova që të hartoheshin disa kërkesa të përcaktuara qartazi që mund të verifikoheshin më tej në mënyrë të qartë për të shmangur çfarëdo lloj diskriminimi që mund të vihej re në procesin e vlerësimit. Dhe besoj se të gjitha zyrat kompetente të Komisionit Evropian mund të shqyrtojnë, mund të verifikojnë më së miri përmbushjen e këtyre kërkesave që ishin përcaktuar më parë nga Komisioni.

Synimi ynë politik është përfitimi i një propozimi pozitiv nga Komisioni para fundit të muajit maj. Ndërsa etapa e dytë, përbëhet nga shpallja e vendimit për sa i përket liberalizimit të vizave në Samitin që do të realizohet në Sarajevë në 2 qershor të këtij viti. Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Komisionit Evropian mund të marrë një vendim formal përpara fillimit të verës, për të mundësuar që shtetasit shqiptarë dhe boshnjakë të mund të bëjnë vizitën e parë jashtë territoreve të tyre kombëtare pa pasur nevojën e pajisjes paraprakisht me viza, në periudhën e vjeshtës të këtij viti. Këto janë synime më se të arritshme, dhe do të shërbejë një vullnet i madh nga Komisioni Evropian dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian, dhe Italia do të jetë në krye të këtij procesi. Faleminderit".

e.r/NOA

KOMENTE