Tiranë, 12 prill, NOA - Shefat e pavioneve, mjekët, infermierët dhe i gjithë stafi mbështetës i Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" do të përfitojnë shpërblime page gjatë muajit prill.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni vetë drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, sipas të cilit, të ardhurat dytësore prej 30 përqind që nuk janë shpenzuar prej 11 muajsh do të shkojnë për shpërblime.
"Një fond i grumbulluar që nga maji i vitit të kaluar, por edhe nga hapësira që na jep ligji duke i përdorur ato deri në masën 30 përqind për shpërblime, do të vijnë tek ju këtë muaj. Deri tani janë bërë kalkulimet për çdo pavion, këto para do të vihen në dispozicionin tuaj dhe shuma prej 20 përqind do të shkojë për shefin e pavionit, kurse pjesa tjetër do të shpërndahet për personelin sipas performancës së tij në punë. Do të jeni ju vetë, shefat e pavioneve, që do të përcaktoni se kujt infermieri, mjeku duhet t'i jepni më shumë para për shkak të punës me cilësi që ai ka ofruar ndaj pacientit", ka pohuar drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi.
Ndërkaq, një tjetër porosi e kreut të QSUT-së ka qenë edhe zbatimi i të gjitha urdhrave të nxjerra si ai për sistemin e urgjencave, ashtu edhe ai i hyrje-daljeve të familjarëve, por edhe urdhri më i fundit i MSH-së për rekomandimin e ilaçeve.
"Janë ngritur tre grupe punë të cilët janë duke kontrolluar të tre urdhrat e sipërpërmendur. Aktualisht shihet një ndryshim, por do iu kërkoj më shumë punë për të arritur në atë që duan ne, dhe që këto urdhra të mos mbeten porosi në letër", ka pohuar Dashi.
n.e/NOA