Tiranë, 12 prill, NOA - Presidenti Topi i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko dhe drejtori i tij i Kabinetit, Dashamir Xhaxhiu, kreu sot homazhe në mjediset e ambasadës polake në Tiranë.
Në këtë mënyrë, ai i ka shprehur zyrtarisht ngushëllimet ambasadores polake në vendin tonë, Irena Tatarzinska për humbjen e parakohshme në një aksident tragjik ajror të presidentit të Polonisë, Lech Kazinski, bashkëshortes së tij, anëtarëve të kabinetit dhe pjesëtarëve të tjera të delegacionit zyrtar që u shuan në Smolensk.
Pasi u përul me respekt para fotos me shiritin e zi të çiftit të ndjerë Kazinski të vendosur në mjediset e ambasadës polake, presidenti Topi shprehu edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta dhe dhimbjen më të thellë të shoqëruar nga tronditja për vdekjen e parakohshme të kreut të shtetit polak.
Më tej, ai nënshkroi Librin e Zisë, duke theksuar para mediave të pranishme se "humbja tragjike e presidentit Kazinski, e bashkëshortes dhe e personaliteteve të larta që e shoqëronin përbën një shok të jashtëzakonshëm për të gjithë".
"Padyshim përtej kësaj dhimbje, pata rastin të vlerësoj nëpërmjet një shkrimi të shkurtër atë që ne e konsiderojmë si fisnike, si ndihmë të vazhdueshme nga Polonia, veçanërisht nga presidenti Kazinski, i cili ishte edhe miku im", theksoi Topi.
n.e/NOA