Tiranë, 12 prill, NOA - Vonesat në liberalizimin e vizave nuk kanë patur të bëjnë me qëndrimin e Bashkimit Europian, por me dështimin e vazhdueshëm të qeverisë shqiptare në përmbushjen e obligimeve të kërkuara dhe së fundmi mungesës së vullnetit për të zgjidhur krizën politike në vend.
Me këtë qëndrim ka dalë menjëherë selia rozë, pas deklaratave të bëra nga ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini në Tiranë, në prani të autoriteteve të larta shqiptare si kryeministri Berisha dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta se "politika duhet të bashkëpunojë në të mirë të integrimit".
"Përmes këtij komunikimi dëshiroj të përshëndes deklaratën e Fratinit dhe të shpreh mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që miqtë dhe fqinjët tanë italianë kanë dhënë në funksion të përshpejtimit të proceseve integruese dhe liberalizimit të vizave", ka pohuar fillimisht në daljen e saj publike, deputetja socialiste, Olta Xhaçka.
Duke shtuar se "PS shpreson në një përgjigje pozitive deri në maj, që shqiptarët të kenë mundësinë të lëvizin lirshëm në Europë, pasi në të kundërt, humbja edhe e këtij shansi, do të ishte tepër e rëndë për Shqipërinë dhe shqiptarët".
"Sa i përket çështjes së transparencës së zgjedhjeve, kjo është një e drejtë e mohuar që populli opozitar do ta fitojë në rrugën e protestës pa ndalim, kundër pushtetit të vjedhur që po rrënon edhe ekonominë pasi tjetërsoi vullnetin e zgjedhësve në 28 qershor", ka përfunduar ajo.
n.e/NOA