English

Robert Aliaj me MKRS, një festival për filmin

Tiranë, 12 prill, NOA /Milena Selimi - Janë vetëm 48 orë për të bërë një film. Ljo është risia, që po sjell artisti Robert Aliaj, i cili pretendon të realizojë në Tiranë festivalin mbarëkombëtar të filmit të shkurtër që prodhohet në vetëm dy ditë dhe fituesi do të njihet në qershor.

Aliaj, i cili është edhe president i këtij festivali që njihet si Tirana "48 hour Film Project", referuar një të përditshme, ka gjetur edhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Qendrës Kombëtare të Kinematografisë; Bashkisë së Tiranës; TV Klan-it e të tjera strukturave e sponsorëve privatë.

Tirana "48 Hour Film Project" do të jetë një festival mbarëkombëtar i filmit të shkurtër, që sapo është ngritur si projekt nga Robert Aliaj dhe që shpreson të thithë krijues nga i gjithë vendi dhe nga të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.

Ideja është që të konkurrojnë për realizimin e një filmi të shkurtër brenda 48 orëve. Filmi fitues ka për të konkurruar me filmat fitues nga e gjithë bota për titullin "Best 48 hour Film of the Year 2010" në Los Anxhelos.

Në fakt, "Projektit Filmik 48 orë"është themeluar në maj të vitit 2001 kur Mark Ruppert ftoi kineastët në një eksperiment: të bënin një film brenda 48 orëve.

Artisti shqiptar ka përfaqësuar Belgjikën, një vit më parë në këtë festival dhe tani pretendon të krijojë një degë të tijën në Shqipëri.

Ai ka thënë në një intervistë të fundit se: "Edicioni i vitit 2009 shënoi një rekord prej 35.000 pjesëmarrësish në mbarë botën, që do të përfundonin procesin filmik - që nga casting dhe shkrimi i skenarit, tek xhirimet dhe montazhi, vetëm brenda 48 orëve. Projekti është bërë një fenomen global kulturor, me më shumë se 150.000 pjesëmarrës dhe prodhimin e rreth 9.000 filmave të shkurtër."

Kjo është arsyeja që Aliaj ka ftuar artistë shqiptarë kudo që ndodhen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e diasporë të provojnë krijimtarinë dhe punën në grup.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE