English

Schmitt: E kaluara në Shqipëri, e pareflektuar intelektualisht

Berlin, 12 prill, NOA - Prof.dr. Oliver Jens Schmitt, nga Instituti i Historisë së Evropës Lindore në Vjenë, në një intervistë për DVelle mbi përpunimin e së kaluarës komuniste në Shqipëri, shprehet se ajo ende është e e pareflektuar intelektualist.

"Sistemi shqiptar, ashtu siç e ka thënë George Oruell në vitin 1984, u bë në fund një sistem, që jetonte nga një propagandë e vazhdueshme e paranojës dhe e ksenofobisë, nga vizioni i një vendi në rrethim, rrethuar nga armiq, që vetëm prisnin që të shkatërronin Shqipërinë. Njerëzve iu transmetua një imazh për botën, që ishte aq në kundërshtim me realitetin, saqë kur ky sistem rrëzohet, shkarkohet edhe ky tension emocional dhe kthehet në të kundërtën e vet. Por është interesant se megjithëse emocionet e atëhershme qenë shumë të forta, për këtë kohë nuk është reflektuar intelektualist".

Z. Schmitt, cilët janë motivet, që e shtyjnë masën të brohorasë diktatorin, kur pak a shumë të gjithë janë në dijeni për represionin, padrejtësitë dhe krimet e kryera?

- Shqipëria komuniste ishte një diktaturë staliniste dhe duhet krahasuar me sistemet totalitare përkatëse. Edhe Stalini, apo diktatorë të tjerë të mëdhenj komunistë, por edhe diktatorët nazistë dhe fashistë janë brohoritur nga masat. Dhe njerëzit, që i kanë brohoritur e kanë bërë këtë pjesërisht vullnetarisht, pjesërisht për të mbrojtur veten. Nuk duhet të harrojmë, që ata njerëz, që kishin qenë kundër regjimit, nuk ishin më fizikisht prezent në këto sheshe, sepse ose ishin vrarë, ose ishin arratisur, ose ndodheshin nëpër kampe internimi, apo nëpër burgje. Secila prej këtyre diktaturave u ka ofruar grupeve të caktuara shanse karriere dhe ashtu si stalinizmi edhe diktatura komuniste shqiptare i ka mobilizuar disa pjesë të popullsisë dhe ka gjetur tek to me të vërtetë mbështetje. Një pjesë e popullsisë e ka mbështetur në mënyrë aktive regjimin, një pjesë tjetër ka marrë pjesë natyrisht nga frika në demonstrata të tilla. Sepse edhe këtu kontrolli i shërbimeve sekrete, sipas modelit stalinist, ishte aq i fortë, saqë ishte shumë e rrezikshme të tregoje tendenca devijuese.

Një vend i tërë qau e vajtoi Enver Hoxhën në ditën e vdekjes dhe pas pesë vjetësh me të njëjtin intensitet emocional rrëzoi dhe tërhoqi rrugëve monumentin e tij.

- Eshtë tipike në rastet e rrëzimit të sistemeve të tilla. Sistemi shqiptar, ashtu siç e ka thënë George Oruell në vitin 1984, u bë në fund një sistem, që jetonte nga një propagandë e vazhdueshme e paranojës dhe e ksenofobisë, nga vizioni i një vendi në rrethim, rrethuar nga armiq, që vetëm prisnin që të shkatërronin Shqipërinë. Njerëzve iu transmetua një imazh për botën, që ishte aq në kundërshtim me realitetin, saqë kur ky sistem rrëzohet, shkarkohet edhe ky tension emocional dhe kthehet në të kundërtën e vet. Por është interesant se megjithëse emocionet e atëhershme qenë shumë të forta, për këtë kohë nuk është reflektuar intelektualisht. Shqipëria është i vetmi vend i Evropës Lindore, ndoshta me përjashtim të Bjellorusisë, që e ka zbardhur më së paku të kaluarën e saj.

Si shpjegohet që kjo nuk është bërë ende?

- Shkaku është se vazhdimësia e kuadrit është shumë e fortë. Është fjala për një elitë shumë të vogël, ku ka shumë pak njerëz, që nuk kanë lidhje familjare me elitën e vjetër komuniste. Është më të vërtetë e dukshme që numri i intelektualëve, që e bëjnë këtë në mënyrë kritike është shumë i vogël dhe këto njerëz e kanë shumë të vështirë, se vazhdojnë të luftohen shumë. Dhe në sferat, ku kjo duhej të ndodhte, pikërisht në fushën shkencore, janë bërë vetëm përpjekje sporadike për ta analizuar këtë periudhë.

A ka të bëjë ky kontinuitet edhe me faktin që Shqipëria është një vend i vogël, ku strukturat janë shumë të ndërthurura e të gërshetuara me njëra-tjetrën?

- Sigurisht që duhet të shtrosh pyetjen se çfarë është Shqipëria. Shqipëria është në fakt Tirana dhe elita në Tiranë takohet në të njëjtat kafe dhe në të njëjtat sheshe. Sigurisht që është një disavantazh për Shqipërinë, që është një vend i vogël, i centralizuar. Sikur të kishte disa qytete të mëdha, mundësitë për të krijuar këndvështrime të ndryshme do të ishin më të mëdha. Nuk është kështu, edhe për faktin se të gjithë njihen dhe mundohen të mos ia prishin njëri-tjetrit dhe nganjëherë diskutimet bëhen me shumë emocione dhe ky gërshetim i ngushtë e bën edhe më të vështirë.

Si shpjegohet prirja e Enver Hoxhës për ta futur Shqipërinë gjithnjë e më thellë në izolim duke e veçuar plotësisht nga bota?

- Hoxha po ashtu si edhe Zogu erdhi në pushtet me ndihmën e jugosllavëve. Ai këtu në fakt ndoqi shembullin e Zogut duke u liruar së pari nga shtrëngimi i madh i Jugosllavisë. Shqipëria ka qenë një lloj shteti satelit i Jugosllavisë deri në vitin 1948 dhe po t'ia kishte arritur Tito ajo do të ishte bërë ndoshta me Bullgarinë pjesë e federatës së madhe ballkanike nën drejtimin e Titos. Kjo duhej penguar. Zogu iu lëshua në duar italianëve, ndërsa në rastin e Hoxhës ishte Bashkimi Sovjetik. Për konfliktin me Rusinë (për këtë ka shumë pak studime historike të bazuara në arkiva, në Shqipëri me sa di unë nuk është bërë akoma, pra jemi në një nivel modest të studimeve) teza vazhdon të jetë se Hoxha e ka refuzuar integrimin e Shqipërisë në një zonë ekonomike sovjetike si vend agrar. Shkaku është sigurisht përpjekja për të pasur sa më shumë liri në politikën e jashtme dhe për të likuiduar opozitën brenda partisë. Fare ngjashëm ka qenë edhe në rastin e Jugosllavisë.

Ishin këto shkaqet që Enver Hoxha iu përmbajt linjës së nacionalizmit izolues gjatë regjimit të tij?

- Ky izolacionizëm është shumë demonstrativ. Ai nis që në shekullin e 19-të, sepse dy prej popujve fqinj, apo së paku politika e jashtme dhe një pjesë e publicistikës e kundërshtonte ekzistencën e shqiptarëve dhe donte t'i përvetësonte si serbë, apo si grekë për qëllimet e veta ekspansioniste. Prandaj që herët është krijuar një mosbesim ndaj fqinjëve. Kjo natyrisht u thellua nga fakti se Greqia ishte shtet i Natos dhe Jugosllavia u bë më vonë kundërshtar i jashtëm politik. Por nuk duhet harruar se ky nacionalizëm u shfrytëzua në të gjitha vendet e bllokut komunist për forcimin e pushtetit brenda vendit. Por Hoxha përdori një formë shumë ekstreme, që mund të krahasohet vetëm me Çausheskun në Rumani. Edhe atje popullsia është izoluar shumë nga bota e jashtme. Të dy e kanë përdorur me zgjuarsi nacionalizmin, sepse sapo të luanin me këtë kartë ishin në gjendje të mobilizonin. Por në Rumani ka pasur institucione dhe tradita para komunizmit. Në Shqipëri kjo mungonte. Dhe tragjikja në Shqipëri është sigurisht që edhe shkenca, edhe shumë elemente qendrorë të identitetit kombëtar u ngritën dhe u zgjeruan gjatë komunizmit. Pikërisht për këtë arsye ato janë në moment pa alternativë, prandaj vazhdon deri sot ky nacionalizëm vetë-izolues.

Por regjimi komunist e shkatërroi menjëherë atë traditë që gjeti, nuk deshi të mbështetej në elementët e kulturës dhe të identitetit, që ekzistonte.

- Padyshim që kjo është diçka, që sot shpesh harrohet, se Shqipëria nuk ka qenë as një rajon, që rrethohej nga armiqtë, as një rajon i izoluar, siç u bë më vonë në komunizëm dhe siç është në një farë mase sot në vetë-izolim. Të marrim shembullin e Shkodrës para njëqind vjetësh: Ishte një qytet me lidhje të mëdha ndërkombëtare në hapësirën e Adriatikut dhe në hapësirën e Ballkanit dhe është e sigurt se bota, në të cilën jetonin shqiptarët para njëqind vjetëve, ishte shumë më e madhe se sa nën komunizmin dhe pjesërisht, së paku nga ana intelektuale, më e madhe se ajo e sotmja. Sepse popullsia myslimane komunikonte edhe me qendrat e mëdha kulturore të perandorisë osmane dhe natyrisht priftërinjtë katolikë dhe katolikët më fort me orientim nga Italia. Grupi më i gjallë nga ana intelektuale ka qenë pa dyshim për shumë kohë popullsia ortodokse në Shqipërinë e sotme jugore. Kjo është edhe një trashëgimi e dimensioneve të mëdha hapësinore dhe e relacioneve të mëdha kulturore ndërkombëtare, që humbi fare në botëkuptimin shumë egocentrik të perceptimit të kulturës kombëtare.

Si mund të ndreqej kjo?

- Është një çështje e vështirë. Nga njëra anë kemi emigracionin masiv, një internacionalizim të madh nga ana faktike, ekonomike, emigracioni sjell në vend mjete financiare, por deri tani me vështirësi vëren që në politikë, apo në arsim të hyjnë me të vërtet ide të reja. Duket se elitat, që kontrollojnë këto fusha, deri tani ia kanë arritur që të mbrohen nga ndikimet e shqiptarëve, që kanë studiuar jashtë shtetit. Eshtë e qartë që në disa fusha si në fushën e shkencës nuk duan të përballen aspak me konkurrencën ndërkombëtare. Vazhdon të mbisundojë sistemi "më mirë të jem mbret në fshatin tim, se sa një partner me vlerë të barabartë në rang ndërkombëtar". Mendoj se për këtë duhet shumë kohë. Besoj se askush nuk ka një recetë zgjidhjeje. Një ndryshim brezash në politikë do të ishte ndoshta me dobi, por problematika në politikë nuk ka të bëjë vetëm me brezat e ndryshëm. Ka edhe politikanë të brezit të ri, të rrymave të ndryshme, që nuk kanë interes për të ndryshuar diçka.

A ka ecur Shqipëria përpara në ndonjë aspekt në periudhën e sistemit komunist?

- Kjo është një pyetje e vështirë. Në qoftë se thua se këto diktatura komuniste ishin edhe si të thuash diktatura modernizuese, atëherë Shqipëria komuniste ka arritur diçka në infrastrukturë, në arsim, një fushë e rëndësishme ka qenë sigurisht emancipimi i gruas . Nga ana tjetër duhet përmendur se me çfarë sakrificash e viktimash janë arritur këto. Besoj se është e vështirë për të bërë një bilanc dhe ndoshta është tepër herët, për ta bërë këtë sidomos nga pikëpamja shkencore. Sepse për sundimin komunist në Shqipëri kemi deri tani shumë pak punë shkencore.

DVelle

KOMENTE