English

Si u rrëzua padia e nënës së Edi Ramës për Sali Berishën

Tiranë, 12 Prill NOA - Gjykata e Lartë rrëzoi sot kërkesën e paditëses Aneta Rama për pjesëmarrjen e një prokurori në padinë e saj kundra kryeministrit Sali Berisha duke nxitur avokaten e kryeministrit të thotë për mediat se deklaratat e Berishës ishin thjeshtë politike dhe jo shpifje.

Avokati Arjan Salati i kërkoi Kolegjit Penal se në bazë të nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, mbështetur në pikën 2 të të cilit, flitet për pjesëmarrjen e prokurorit për këtë proces, i cili vendos për dënimin ose pafajësinë.

Por avokatja e kryeministrit Sali Berisha, Erinda Ballanca deklaroi se kishte kaluar faza e thirrjes së prokurorit dhe rrëzimit të kërkesës së palës paditëse.

Kolegji Penal për afro një orë ka diskutuar në dhomën e këshillimit dhe vendosi rrëzimin e kërkesës së palës paditëse, duke shpjeguar se aktualisht ishin në një fazë për shqyrtimin nëse duhet hequr imuniteti apo jo.

Pas rrëzimit të kërkesës avokati i Aneta Ramës, lexoi padinë civile duke kërkuar përfshirjen e saj në padinë penale. Në këtë padi mbrojtësi i Ramës u shpreh se Berisha kishte cenuar nderin dhe personalitetin e klientes së tij.

Ndërkohë që mbrojtësja e kryeministrit shpjegoi se nga pala akuzuese u pretendua për një dëm moral dhe jo dëm material, dhe Gjykata e Lartë nuk është kompetente për gjykimin moral.

Kolegji Penal pasi shqyrtoi dëgjoi të dyja palët shpalli moskompetencën lëndore, duke ia deleguar çështjen Gjykatës së Shkallës së Parë.

Më pas gjykata ka vazhduar me marrjen e provave. Salati u shpreh se të drejtat e klientes së tij ishin shkelur pasi djali i saj i madh është artist, kryetar bashkie, zyrtar i Patisë Socialiste.

Sipas tij Berisha ka kryer veprën penale të shpifjes. Fillimisht avokati përmendi se kryeministri kishte deklaruar se për 10 vjet me radhë ajo e kishte kuruar të birin e saj nga skizofrenia, fakt që nuk ishte i vërtetë, ndërkohë që për nxjerrjen e saj jashtë me lecka, mbrojtësi ka pretenduar se ishte një shkelje e personalitetit të Ramës i krijuar prej vitesh me punë të ndershme.

Mbrojtësi në fund të provave të tij i kërkoi kolegjit të bashkuar heqjen e imunitetit për ti hapur rrugë procesit gjyqësor.

Ndërkohë avokatja e Berishës argumentoi se pala paditëse nuk ishte mbështetur në prova dhe në ligj. Sipas saj gjykata duhet të mos nisë proces penal. Sipas saj mungon qëllimi për të përhapur thëniet në dëm të të akuzuarës.

Në fund ajo shpjegoi se në fjalën e tij kryeministri është shprehur "kam respekt për zonjën". Procesi u shty për datën 4 maj në mënyrë të tillë që avokatia e Berishës të njihet me provat e palës paditëse.

e.r/NOA

KOMENTE