English

Synon Zvicrën, kapet kosovari duke ikur me traget në Itali

Durrës, 12 prill NOA - Përpiqet të kalojë klandestin duke shfrytëzuar Portin e Durrësit që të futet në Itali me destinacion Zvicrën, kapet nga kufitarët shqiptarë i riu kosovar. Lidhur me këtë ngjarje, policia e Durrësit i tha sot agjencisë NOA se u bë arrestimi në flagrancë i 35 vjeçarit Agron Sulaj, lindur e banues në Prizren të Kosovës.

"Arrestimi i tij u bë pasi më datë 10.04.2010, rreth orës 23:00, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë Port Durrës në Terminalin e përpunimit të pasagjereve, duke tentuar të udhëtojë në mënyrë të kundërligjshme për në Itali, me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, me pasaportën e tij kosovare dhe një leje qëndrimi zviceriane në emër të tij, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar", - detajuan burimet policore.

Ata thanë se u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i dokumenteve të mësipërm dhe materialet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

e.n/NOA

KOMENTE