Tiranë, 13 prill, NOA /Blerina Ahmetaj - Aksidentet në punë me pasojë vdekjen, nuk do të kalojnë më pa ndëshkimin e merituar të punëdhënësit, si shkaktari kryesor i mossigurimit të kushteve të punës për punëtorët e punësuar.
Në kuadrin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian dhe të detyrave që i dalin qeverisë shqiptare për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ministria e Punës ka hartuar ligjin e ri "Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë".
Ky ligj i garanton punëmarrësit shqiptar siguri dhe shëndet në punë, nëpërmjet parandalimit të rreziqeve në punë, eliminimit të faktorëve që përbëjnë risk për aksidente, informimin e punëmarrësve, konsultimin, pjesëmarrje e balancuar e gjithë aktorëve që operojnë në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë duke përfshirë këtu rolin e madh të përfaqësuesve të punëmarrësve, trajnimin e punëmarrësve dhe përfaqësuesve të tyre etj.
Burime zyrtare nga ministria e Punës i thanë agjencisë kombëtare të lajmeve "NOA" se ligji "Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë", për herë të parë rregullon detyrimet e punëdhënësve për sigurimin e mbrojtjes së punëmarrësve në të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë.
"Në ligj është parashikuar ngritja për herë të parë dhe funksionimi i shërbimeve të mbrojtjes dhe parandalimit si dhe Këshillit Ndërministror të sigurisë dhe shëndetit në punë. Këto struktura do të shërbejnë për zbatimin e masave parandaluese dhe pjesëmarrjen e balancuar të punëmarrësve në hartimin e dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të rreziqeve që burojnë nga puna", thanë burimet zyrtare nga ministria e Punës.
Një tjetër risi është detyrimi i punëdhënësve për të hartuar dokumentin e vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, i cili përmban masat me karakter teknik, organizativ, higjieno- sanitare, të cilat do të zbatohen sipas kushteve specifike të vendeve të punës të aktivitetit.
Projektligji parashikon që çdo punëdhënës i një subjekti publik apo privat, vendas apo i huaj, fizik apo juridik është i detyruar të mbulojë me shërbim mjekësor në punë, nëpërmjet mjekut të punës.
Një tjetër detyrim është që në rastet e aksidenteve në punë, si dhe të sëmundjeve profesionale punëdhënësi është i detyruar të njoftojë menjëherë Inspektoriatin e Punës, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Organet e prokurorisë, etj.
Risi që sjell ligji është klasifikimi në 4 shkallë i aksidenteve, duke u bazuar në pasojat që shkakton aksidenti dhe numrin e personave të dëmtuar.
Risitë e ligjit
Punëdhënësi është i detyruar të hartojë dokument vlerësimi dhe parandalimi të rrezikut nga aksidentet në punë, i cili përmban masat me karakter teknik, organizativ, higjeno- sanitare.
Çdo punëdhënës i një subjekti publik apo privat, vendas apo i huaj, fizik apo juridik është i detyruar të mbulojë me shërbim mjekësor në punë, nëpërmjet mjekut të punës.
në rastet e aksidenteve në punë, si dhe të sëmundjeve profesionale punëdhënësi është i detyruar të njoftojë menjëherë Inspektoriatin e Punës, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, organet e prokurorisë etj.
b.a/n.e/NOA