Tiranë, 13 prill, NOA - Alarmi për vendosjen e një sasie eksploziv në ambientet e televizionit "Alsat" në kryeqytet ka rezultuar i rremë. Policia e Tiranës njofton se pas kontrollimit të zonës dhe godinës së televizionit nuk është gjetur asnjë lëndë plasëse.
Sipas policisë, "janë shoqëruar 3 persona, të cilëve po ju merren deklarime mbi rrethanat e kësaj ngjarje" si dhe po hetohet për vendin nga është bërë telefonata.
Alarmi për bombë u dha sot rreth orës 11.15 në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, pas mbërritjes së një telefonatë anonime.
Pas marrjes së njoftimit, gjithë strukturat e policisë së Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3, njësia speciale Anti-Terror, Specialistët Anti - Eksploziv dhe Ekspertët Xhenier, kanë shkuar në godinën e televizionit dhe kanë evakuar punonjësit nga godina. Po ashtu është zbrazur dhe zona përreth për të shmangur çdo incident të mundshëm.
"Në sajë të masave të shpejta të marra, u realizuan kontrolle të imtësishme përreth një orë të ambienteve të brendshme, me Ekspertë Xhenier dhe Njësinë Anti - Eksploziv, ku pas përfundimit të operacionit të kontrollit, rezultoi se alarmi i mbërritur përmes një telefonate anonime, ishte fals", thuhet në njoftimin e policisë.
m.xh/NOA