Tiranë, 13 prill, NOA - Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar luftën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një nga momentet më historike pas betejave të Skënderbeut. Deklarata e kryeministrit Berisha u bë sot gjatë një takimi me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve, Invalidëve dhe Dëshmorëve të Luftës së Kosovës.
"Ju me luftën tuaj të drejtë, shkruat një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare, që nga betejat e lavdishme të Skënderbeut. Përpjekja juaj çlirimtare qëndron në themelet e lirisë së Kosovës së sotme, e cila ka hyrë në rrugën e zhvillimit dhe përparimit", tha Berisha.
Në takimin me drejtues të Shoqatës së Veteranëve, Berisha garantoi se qeveria shqiptare do të qëndrojë gjithmonë përkrah projekteve për demokratizimin e vendit, zhvillimin ekonomik dhe çeljen e hapësirave të reja që sjellin investim dhe progres për qytetarët e Kosovës.
Rustem Berisha, komandat i Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vlerësoi kontributin që ka dhënë Shqipëria dhe kryeministrit Berisha për çështjen e Kosovës.
"E quajmë një obligim ardhjen sot në Shqipëri dhe posaçërisht takimin me ju, për të shprehur në emër të të gjithë luftëtarëve kosovarë, veteranëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve mirënjohjen për kontributin tuaj, në përkrahjen e çështjes sonë të lirisë. Kontributi në ditë të vështira që ju e qytetarët shqiptarë keni dhënë është një garanci e madhe për vëllazërimin midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe e projektit të saj për demokratizimin e shoqërisë në Kosovë," u shpreh zoti Rustem Berisha.
Ai vlerësoi se kjo mirënjohje u shkon veçanërisht shtëpive, spitaleve dhe sofrave shqiptare, që me bujari pritën bashkëluftëtarët e UÇK-së.
Përfaqësuesit e UÇK-së mirënjohjen ndaj Berishës e shprehën nëpërmjet simbolikës së dhënies së flamurit të tyre të betejave, ku ishin shënuar emrat e dëshmorëve të të gjithë Brigadës, si dhe të pikturës së heroit të Kosovës Agim Ramadani.
m.xh/NOA