English

Berisha: Masteri për shërbimin civil, me mjaft rëndësi

Tiranë, 13 prill, NOA - Formimi dhe konsolidimi i shërbimit civil në të gjitha nivelet e qeverisë, përbën një nga kushtet më të rëndësishme të funksionimit me përgjegjësi të qeverisjes.

Kështu ka pohuar kryeministri Berisha gjatë një takimi që ka zhvilluar me grupin e parë të studentëve që do të ndjekin studimet master për punonjësit e shërbimit civil, të administratës publike vendore në universitetin "Zonja e Këshillit të Mirë".

Sipas tij, fillimi i këtij masteri për qeverisjen vendore apo mirëqeverisjen territoriale është zhvillim shumë pozitiv, sepse në të vërtetë, në thelb asgjë nuk është më përcaktuese për zhvillimin e një vendi, sesa zhvillimi i rajoneve.

"Duke u ndodhur para vështirësisë që krijon ndarja aktuale në Shqipërinë e rajoneve po të shprehemi në këtë mënyrë, këtë vit, qeveria ka vendosur të shqyrtojë një ndarje të re rajonale, por që është thjesht ndarje pune dhe jo kushtetuese.

Politikat rajonale janë dhe mbeten politika parësore, të një rëndësie të jashtëzakonshme për zhvillimin e vendit dhe luftën kundër varfërisë, për shfrytëzimin më racional të të gjitha potencialeve, për bashkëpunimin më të suksesshëm ndërkombëtar me vendet përreth", tha ai.

Në fund, kryeministri ka pohuar se qeveria duhet t'i kushtojë një vëmendje shumë më të madhe formimit të administratës sonë publike.

"Në këtë kontekst, ne kemi vendosur të hapim universitetin për administratën publike dhe ky është një vendim shumë i rëndësishëm. Në qeverisjen vendore dhe atë qendrore administrata publike numëron një numër shumë të madh punonjësish të shërbimit civil, formimi i të cilëve me të gjitha njohuritë e nevojshme përbën një kusht për funksionimin e administratës dhe qeverisjes e prandaj, fillimi i këtij masteri për qeverisjen vendore apo mirëqeverisjen territoriale është zhvillim shumë pozitiv", ka deklaruar ai.

n.e/NOA

KOMENTE