English

Berisha nesër në Bruksel, takime me autoritetet e larta evropiane

Tiranë, 13 prill, NOA - Kryeministri Berisha do të zhvillojë një vizitë dyditore, në Bruksel, duke nisur që nga dita e nesërme, gjatë së cilës, ai do t'i dorëzojë dokumentin e Pyetësorit me përgjigjet e Shqipërisë, komisionerit evropian për Zgjerim, Stefan Fule, me të cilin do të zhvillojë edhe një takim e më pas një konferencë për shtyp.

Lajmi konfirmohet nga burime të Këshillit të Ministrave, sipas të cilave, në ditën e parë të vizitës në Bruksel, Berisha do të jetë edhe relator në konferencën "Shqipëria drejt Bashkimit Evropian, një rrugë mbi meritën", organizuar posaçërisht për të nga Fondacioni Robert Schuman, në të cilën do të marrë pjesë edhe Joseph Daul, president i grupit parlamentar të Partisë Popullore Evropiane dhe mjaft përfaqësues të Parlamentit Evropian.

Ndërsa në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy; me presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso si dhe do të zhvillojë një takim e më pas një konferencë për shtyp me presidentin e Parlamentit Europian, Jerzy Buzek.

n.e/NOA

KOMENTE