Tiranë, 13 prill, NOA - "Historia e Shqipërisë dhe e Kosovës do të ngelet një histori e vëllazërisë e të njëjtit komb dhe e dy shteteve miq". Kjo është deklarata që kryeministri Sali Berisha ka bërë sot gjatë takimit me veprimtarin e shquar nga Kosova, Hysen Gërvalla.
Takimi me aktivistin e njohur kosovar është përqendruar në kontributin që ka dhënë vendi ynë për Pavarësinë e Kosovës dhe në aktivitetin e figurave të ndryshme që dobi të çështjes kombëtare.
Zyra e shtypit e kryeministrisë njofton se Berisha i ka shprehur "zoti Gërvalla ndjenjat e simpatisë për të gjithë aktivitetin në dobi të çështjes kombëtare".
Nga ana e tij, Gërvalla shprehu vlerësimin më të lartë për veprimtarinë mbështetëse të Kryeministrit Berisha në përkrahje të çështjes së Kosovës.
Ai shprehu bindjen se kjo ndihmesë dhe përkrahje e Kryeministri Berisha dhe e qeverisë shqiptare do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në konsolidimin e shtetit të ri demokratik të Kosovës.
Hysen Gërvalla është një prej figurave të lidhura ngushtë me luftën dhe procesin e Pavarësisë së Kosovës. Ai është vëllai i madh i vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, të cilët u vranë vite më parë nga UDB-ja.
m.xh/NOA