English

Duhanpirja, Higjiena: Në 3 muaj, trefish gjoba më shumë se vjet

Tiranë, 13 prill, NOA - Drejtoria e Shëndetit Publik në Tiranë deklaron se në tre muajt e parë të vitit ka vendosur gjoba tre herë më shumë se vitin e kaluar për moszbatimin e ligjit antiduhan.

Por burimet zyrtare nga ky institucion thonë se ndonëse janë penalizuar, subjektet private kryesisht vazhdojnë të mos jenë korrekt duke lejuar pirjen e duhanit në ambientet e tyre. Specialistët e higjienës thonë se zbatimi i ligjit antiduhan në Shqipëri ka mbetur pothuajse në nivelin zero për shkak të ngërçit që është krijuar në legjislacion.

Sipas tyre, ndonëse ata vendosin gjoba e penalizojnë shkelësit e ligjit, vetë ky ligj nuk përcakton qartë mënyrën e penalizimit.

Kështu, specialistët janë në dilemë për të gjobitur një subjekt privat i cili brenda ambienteve të tij ka hequr tavllat e duhanit, sipas ligjit antiduhan, por nuk ka të afishuar tabelë që ndalon pirjen e duhanit në lokal, pasi vetë ligji nuk shprehet në këtë rast.

"Ne vazhdojmë të vendosim gjoba, të cilat duhet të vilen nga Bashkia e Tiranës, por në shumë raste këto gjoba nuk mblidhen, përveç kësaj, ligji ka nevojë për ndryshime gjë që Inspektoriati Sanitar Shtetëror e ka kërkuar me kohë. Këto ndryshime pritet të diskutohen në mbledhjen e komisionit kuvendor të Shëndetësisë", thonë burimet zyrtare në drejtorinë e Shëndetit Publik.

Aktualisht ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë nisur një fushatë promocioni me të rinjtë e gjimnazeve për të rritur ndërgjegjësimin për një jetë pa duhan.

Sipas të dhënave të studimit kombëtar demografik mbi shëndetësinë që u krye në periudhën prill 2008-dhjetor 2010, rezultoi se Shqipëria gjendet në prag epidemie të duhanpirjes nga të gjitha shtresat dhe moshat.

Studimi tregoi se rreth 43 për qind e meshkujve në qytet e fshat dhe 5 për qind e femrave pinë duhan, por rreziku nuk qëndron tek shifrat.

Të dhënat e studimit na treguan se po konsumohet duhan kudo dhe nga të gjithë, po e pinë të rinj e të rritur pa dallim shtrese, si në fshat dhe qytet, me status ekonomik të lartë e të ulët, me nivel të ulët arsimor dhe me arsim të lartë.

Specialistët e ISHP thonë se, Tirana mbetet epiqendra e epidemisë së duhanpirjes dhe për reduktimin e numrit, specialistët e shëndetit publik janë skeptikë.

Për të frenuar epideminë e duhanpirjes, si rrezik serioz të shëndetit të shqiptarëve, specialistët e shëndetit publik shohin moszbatimin e ligjit antiduhan dhe masat e tjera që duhet të ndërmerren për të frenuar tendencën e duhanpirjes nga të gjitha moshat.

b.a/NOA

KOMENTE