English

EULEX-i e gjeti argatin e nevojshëm

Në seancën e pestë të mbajtur në procesin gjyqësor kundër Albin Kurtit më 13 prill 2010, EULEX-i për herë të parë siguroi tëgjithë bashkëpunëtorët e nevojshëm për vazhdimin e gjykimit politik

Nga Glauk Konjufca*

EULEX-i mbajti seancën e pestë gjyqësore të rastit ndaj Albin Kurtit, që ka trashëguar nga UNMIK-u, e ka rihapur para dy muajsh dhe po e udhëheq vetë. Pas refuzimit të Ramiz Krasniqit dhe Musa Dragushës për t'iu bërë argatë EULEX-it në këtë padrejtësi kundër Albinit dhe VETËVENDOSJE!-s, EULEX-i, më në fund, e gjeti një avokat të gatshëm për t'ia lehtësuar këtij misioni punën e persekutimit të Albin Kurtit. Ky avokat është Avni Gjakova, i cili përkundër thirrjes së Albinit dje për të gjithë avokatët, gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës për të mos qenë pjesëmarrës në këtë gjykim politik, u paraqit në seancë me vullnet të plotë. EULEX-i po ashtu kishte arritur ta sigurojë edhe praninë e gjyqtares së vetme vendëse në Panelin gjykues, Fllanza Kadiu, e cila në dy seancat e kaluara kishte munguar me arsyetimin se kishte qenë e sëmurë. Kurseprokurori Ali Rexha, si gjithnjë, ka qenë bashkëpunëtor i rregullt në të gjitha seancat e deritashme.

Fillimisht, kryesuesi i Panelit, Ferdinando Buatier de Mongeot prezentoi avokatin e ri mbrojtës, dhe kërkoi që seanca të shtyhej për të enjten, meqë avokati i caktuar kishte kërkuar t'i jepet kohë e mjaftueshmepër për studimin dhe analizimin e materialit dhe lëndës së rastit. De Mongeot aty për aty lajmëroi se Musa Dragusha ka refuzuar ta marrë rolin e avokatit mbrojtës për Albinin, dhe tha se tash e tutje do të jetë Avni Gjakova që e ka pranuar këtë rol. Gjatë fjalës së tij prezentuese de Mongeot lavdëroi qëndrimin e avokatit të ri ndaj rastit të Albinit, krahasuar me qëndrimet e avokatëve të mëparshëm, Ramiz Krasniqi e Musa Dragusha. Kjo la të kuptohet për dëgjueshmërinë dha bashkëpunimin e ngushtë të avokatit në fjalë ndaj EULEX-it dhe procesit gjyqësor të cilin ai po udhëheq.

Pas kësaj fjalën e mori vetë Avni Gjakova, i cili në pjesën e parë të fjalimit që mbajti i pati pesë minutat e tij të patriotizmit, duke argumentuar që është shqiptar. Pastaj deklaroi se kjo që po ndodh me rastin e 10 shkurtit është shndërruar në"tragji-komedi". Tragjedi sepse janë vrarë njerëz, porkomedi me ç'po ndodh me rastin kundër Albin Kurtit. Dhe kur atmosfera që e krijoi me fjalimin e tij la të kuptohej se tash do të vinte dorëheqja e tij, ai ia parashtroi Panelit të EULEX-it një kërkesë. Sipas kërkesës së tij, përbërja e Panelit do të duhej të ishte shqiptare dhe jo ndërkombëtare. Pra, ai nuk ishte kundër Panelit të EULEX-it si të tillë, pra kundër EULEX-it përmbi gjykatat tona, por ishte vetëm kundër përbërjes etnike të këtij Paneli. Struktura etnike e panelit nuk është problemi kryesor i këtij rasti,por vetë EULEX-i, prania dhe pushteti ekzekutiv i të cilit mbi gjyakat tona e pamundëson drejtësinë dhe paanshërinë e gjyqësisë. Përveç kësaj, Avni Gjakova duket se qëllimisht ka keqcituar thirrjen e Albinit drejtuar avokatëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës. Albini ka thënë kështu: "Unë do ta pranoja vetëm një gjykatë të Republikës së Kosovës pa EULEX-in përmbi. Kurse rasti kundër Albin Kurtit është shprehja më e ashpër dhe e qartë e EULEX-it përmbi gjyqësinëe Kosovës.Së pari, sepse rastin e ka rihapur vetë EULEX-i. Së dyti meqë Prokuroria Speciale e EULEX-it po e udhëheq këtë rast. Dhe,së treti se, në këtë rast, EULEX-i e cakton prokurorin, avokatin mbrojtës dhe gjyqtarin vendës të Penlit të vet. Gjykata e Qarkut është asistente në këtë proces gjyqësor.

Pas parashtrimit të kërkesës nga Avni Gjakova, Paneli u tërhoq për ta shqyrtuar kërkesën e tij. Kryesuesi i Panelit de Mongeot deklaroi se kjo kërkesë e Avni Gjakovës, do t'i paraqitej Presidencës së Kuvendit të Gjyqtarëve të EULEX-it. De Mongeot po ashtu ishte shumë mirëkuptues ndaj kërkesës së Gjakovës, meqë e kuptonte se kërkesa e tij nuk ishte as thelbësore, e mbi të gjitha, as e realizueshme. Por de Mongeot, e tëra që donte ishte prania fizike e avokatit mbrojtës edhe në seancat e ardhshme, sepse vetëm prania e tij fizike është e domosdoshme për sigurimin e procedurave të nevojshme që të vazhdojë persekutimi i Albin Kurtit. Në fund kryesuesi i Panelit tha se ky Panel do të vazhdojë me të njëjtën përbërje së paku deri në shqyrtimin e kërkesës së Gjakovës ndaj autoriteteve kompetente, gjithsesi pa e prejudikuar legjitimitetin e kërkesës së tij.

***

Paneli gjykues e shtyu seancën e ardhshme për të enjten, më 15 prill 2010, në orën 11:00. De Mongeot tha se do të merren të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar praninë e AlbinKurtit në seancën e ardhshme.

(*) Dërguar nga autori, Komiteti për çështje juridike dhe politike - Lëvizja Vetëndosje

KOMENTE