English

Helidon Haliti, pas... Sarkozisë, sot ekspozon në Paris

Tiranë, 13 prill, Milena Selimi, NOA- Përrallat, baladat dhe legjendat shqiptare të përfshira në ekspozitën e titulluar "Fabulous" do të jenë nga dita e sotme në një nga galeritë e Parisit. Autori i tyre është Helidon Haliti, i mirënjohur për një koleksion interesant në Muzeun "Mezuraj" dhe më shumë se kaq. Kohët e fundit, një nga punët e tij është në koleksionin e çiftit presidencial francez.

Media ka raportuar se pak kohë më parë vepra e tij e titulluar "Gjeli", është bërë pjesë e koleksionit presidencial të Presidentit francez, Nikolas Sarkozi.

Ekspozita e tij vetjake mëton t'i japë publikut francez ngjyrat dhe elementet krejtësisht të veçanta të pikturës së tij, duke zbërthyer temën e përrallave, legjendave dhe baladave shqiptare. Kjo ekspozitë ka qenë në Kosovë dhe sipas tij, shpejt mund të udhëtojë në Tiranë, Shkup, edhe pse jo drejt Athinës apo Beogradit...

"Tani po bëhet më e butë, pasi ia kam arritur qëllimit, i kam tërhequr vëmendjen dhe tashmë po merrem më shumë me anën estetike", është shprehur ai për këtë fazë të krijimtarisë së tij.

Helidon Haliti i përket asaj gjenerate të re të studentëve të Shqipërisë bashkëkohore, i cili u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë në vitin 1993. I emigruar ne Greqi për gati 12 vjet, piktori është rikthyer drejt vendit të tij, për të derdhur në telajo atë që i bën përshtypje, shumë afër studios së tij. Helidon Haliti ka ekspozuar për herë të parë në Tiranë në vitin 1984, në një ekspozitë kombëtare, si dhe në ekspozitën e të rinjve në Oslo, në Norvegji në vitin 1985 ku është vlerësuar me dy çmime për akuarelet e paraqitura prej tij. Haliti ka qenë vazhdimisht i pranishëm në ekspozita të ndryshme në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Ai realizon vepra në gjini dhe teknika të ndryshme. Pikturat e tij janë pjesë e koleksioneve private në vende të ndryshme të botës.

m.s/NOA

KOMENTE