Tel Aviv, 13 prill, NOA - Izraeli përkujtoi 6 milionë hebrejtë që u vranë nga nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo ditë është qysh prej vitit 1951 dita e përkujtimit, Jom Ha-Shoa, sipas kalendarit hebre.
... Sirenat në mbarë vendin kumbuan dy minuta të plota dhe të gjithë njerëzit heshtën me pikëllim. Në rrugët e mëdha të Tel Avivit nuk lëvizte asnjë mjet qarkullimi, burra dhe gra qëndronin në këmbë pranë makinave të tyre, në të cilat valëviteshin flamuj izraelitë.
Ata të gjithë përkujtuan 6 milionë hebrenjtë e vrarë nga nazistët. Në të gjithë vendin flamujt ishin ngritur gjysmështizë, shumë dyqane nuk u hapën dhe mediat izraelite nuk transmetuan emisione gazmore.
Ceremonia përkujtimore filloi që të dielën në mbrëmje dhe zgjati gjatë gjithë ditës së hënë.
A u nxorën mësime nga Holokausti?
Në qendrën përkujtimore të Holokaustit, Jad Vashem, presidenti i shtetit Shimon Peres mbajti një fjalim për viktimat.
"Ky zjarr do të djegë ende në zemrat tona, sepse nuk mund t'u themi dot kurrë lamtumirë 6 milionë vëllezërve, burrave, grave dhe pleqve si edhe 1 milionë e gjysmë fëmijëve tanë - një fuqi enorme jete me dhunti e talente që u shuan. Kjo humbje është e pazëvendësueshme".
Kryeministri Benjamin Netanjahu shtroi pyetjen nëse u mësua ajo që duhej nga Holokausti.
"Një nga mësimet duhet të jetë se e keqja duhet luftuar", theksoi Netanjahu.
"Bota nuk u ngrit në këmbë në kohën e duhur kundër nazistëve", tha ai dhe theksoi se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me Iranin dhe programin e tij bërthamor.
"Udhëheqësit e Iranit po nxitojnë të zhvillojnë armë bërthamore dhe e deklarojnë hapur se duan të zhdukin Izraelin. Por nuk i dëgjojmë protestat që po i presim prej kohësh, as kritikat e ashpra. Bota po sillet si gjithmonë. Sot, 65 vjet pas Shoas (Holokausti) duhet ta themi më në fund se ajo që na trondit është se mungon tronditja botërore".
Kjo ditë iu përkushtua edhe atyre që e mbijetuan Holokaustin, atyre që ndihmuan në ndërtimin e shtetit Izrael: "Ne u detyrohemi atyre që mbijetuan shumë për guximin që sollën me vete pas luftës, që krijuan familje, që ndihmuan në ndërtimin e shtetit e që patën guximin të flasin e të tregojnë se ç'ndodhi. Gjatë viteve të fundit jemi përpjekur dhe do të përpiqemi gjatë atyre në vazhdim edhe më shumë për t'ua lehtësuar vitet e fundit atyre që mbijetuan."
Sulmet antisemite në rritje
Me këtë fjalim Netanjahu reagoi ndaj një debati shumë kontrovers dhe intensiv që po zhvillohet aktualisht në Izrael përsa i përket pensioneve të atyre që mbijetuan Holokaustin. Përpara pak ditësh universiteti i Tel Avivit publikoi, si çdo vit, raportin e tij mbi sulmet antisemite në mbarë botën. Shkencëtarët kanë protokolluar mbi 1129 akte të dhunshme, vandalizëm e deri në vënien flakë të objekteve hebreje. Ky është numri më i lartë i sulmeve të tilla qysh prej 20 vitesh dhe pothuajse dy herë më i lartë se vitin e kaluar. Sidomos në Francë dhe Britaninë e Madhe numri i akteve të dhunshme kundër hebrenjve është rritur dukshëm.
DVelle