Uashington, 13 prill, NOA - Në hapje të samitit për sigurinë bërthamore, presidenti amerikan Barak Obama bëri thirrje për hapa specifikë dhe konkretë për të mbrojtur materialin bërthamor që të mos bjerë në duar të terroristëve.
"Qëllimi im është ta bëjmë botën pak më të sigurtë", deklaroi Obama në takimin e nivelit të lartë në Uashington, ku po marrin pjesë përfaqësuesit e lartë të 47 shteteve të ndryshme të botës.
Ndërkaq, pak para fillimit të samitit është shënuar suksesi i parë, pasi presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç deklaroi gjatë një takimi me homologun e tij amerikan Barack Obama, se deri në vitin 2012 e tërë sasia e uranit të pasuruar në ish-Republikën Sovjetike do të bëhet e padëmshme.
Në samitin dyditor për sigurinë bërthamore në Uashington shtetet pjesëmarrëse duan të detyrohen që të përpiqen më shumë për mbrojtjen e materialit bërthamor dhe të përpilojnë një plan të detajuar pune.
Ndërsa, një rrezik i nënvlerësuar është edhe sasia e lartë e uranit të pasuruar, që ndodhet në qarkullim për qëllime hulumtuese shkencore dhe nëpër spitale.
n.e/NOA