English

Policia flet zyrtarisht mbi alarmin për bombë te Tv Alsat

Foto të tjera, te Galeria

Tiranë, 14 Prill NOA Lajm dhe foto Update - Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka folur zyrtarisht mbi ngjarjen e sotme kur rreth orës 11.15 në Sallën Operative mbërriti një telefonatë anonime për vendosje të një sasie eksplozive në ambientet e brendshme të televizionit Alsat.

Policia sqaron se menjëherë, për në drejtim të vendit të ngjarjes shkuan shërbimet policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, shërbimet Anti - Terror, Specialist Anti - Eksploziv, Ekspert Xhenier, të cilët morën të gjitha masat duke koordinuar punën me stafin e këtij televizioni, me synim evakuimin e punonjësve të ndodhur në ambientet e brendshme, dhe të zonës përreth.

Në sajë të masave të shpejta të marra, - detajon policia, - u realizuan kontrolle të imtësishme përreth një orë të ambienteve të brendshme, me Ekspertë Xhenier dhe Njësinë Anti - Eksploziv, ku pas përfundimit të operacionit të kontrollit, rezultoi se alarmi i mbërritur përmes një telefonate anonime, ishte fals.

Ndërkohë, strukturat e Hetimit të Krimit të Policisë së Tiranës, nga specialistët e Sektorit Kundër Krimeve ndaj Personit, po punojnë intensivisht në drejtim të identifikimit të personit dhe zonës, nga ku është realizuar kjo telefonatë.

Në drejtim të zbardhjes tërësisht të kësaj çështje nga strukturat e policisë janë shoqëruar 3 persona, të cilëve po ju merren deklarime mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje tha policia.

Burime nga Alsat dhe policia e Tiranës, i thanë agjencisë NOA se është identifikuar një djalë rreth 25 vjeçar, si i dyshuar i alarmit të rremë për bombë.

e.r/NOA

KOMENTE