English

Presidenti niset për një vizitë zyrtare treditore në Shkup

Tiranë, 13 prill NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, u nis sot për një vizitë zyrtare treditore në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), njoftoi kabineti presidencial.

Topi, shkon në vendin fqinjë me ftesë të Presidentit Gjorgje Ivanov dhe gjendet në krye të një delegacioni shtetëror me anëtarë të qeverisë, përfaqësues të pushtetit vendor, të kabinetit të Presidentit, si dhe një grup sipërmarrësish të biznesit shqiptar.

Kreu i shtetit shqiptar do të pritet nga homologu i tij maqedonas, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, për t'u pasuar me takimin e dy delegacioneve respektive zyrtare, ku në qendër të bisedimeve mes dy Presidentëve do të jenë thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh, me qëllim realizimin e synimeve të përbashkëta eurointegruese.

Topi së bashku me Presidentin Ivanov do të marrin pjesë dhe do të përshëndesin në Forumin Ekonomik të biznesit maqedonas-shqiptar që do të zhvillohet në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve të të dy vendeve, me synim zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal.

Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni, Topi pritet të zhvillojë një sërë takimesh, si me Kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, me Kryetarin e Parlamentit, Trajko Veljanoski, me Kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me Kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, me ish-presidentin Branko Cervenkovski, aktualisht Kryetar i Partisë opozitare LSDM, me Kryetarin e Partisë ‘Demokracia e Re', Imer Selmani, me Kryetarin e Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, me Rektorin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, Agron Reka, me Kryetarin e Komunës së Dibrës, Argëtim Fida. etj.

e.r/NOA

KOMENTE