Elbasan, 13 prill, NOA - Në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit do të prodhohet një lloj i ri çeliku, i cili quhet çelik sizmik dhe është i rezistueshëm ndaj tërmeteve. Ka qenë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i cili bëri të ditur projektin e ri në takimin që zhvilloi dje në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, ku u takua me drejtues të lartë të kompanisë KURUM dhe me punonjës të Kombinatit.
Në takimin që zhvilloi me drejtuesit e kompanisë turke KURUM, e cila zhvillon aktivitetin e saj në Kombinatin Metalurgjik, Prifti diskutoi lidhur me linjën e re që kompania po instalon, që konsiston në prodhimin e çelikut sizmik dhe që përbën një investim prej 16 milionë euro.
"Kam ardhur të vizitoj një nga kompanitë më serioze që ka sot Shqipëria, një nga investitorët e huaj më seriozë, një vend ku punojnë rreth 800 persona. Kam ardhur të shoh këtë linjë të re që po instalohet për prodhimin e çelikut, që është një investim prej 16 milionë euro. Do të prodhohet një çelik, i cili do të jetë çelik sizmik, çka do të thotë se është shumë i rezistueshëm ndaj tërmeteve", tha Prifti. Ai ka shtuar se ky është një produkt i ri që po futet në tregun shqiptar. Prifti garantoi se qeveria është e gatshme ta mbështes këto lloj investimesh.
m.xh/NOA