English

Shqipëria në BE, ligji antiduhan drejt dështimit me sukses

Tiranë, 14 prill NOA, Blerina Ahmetaj - Në një kohë kur Shqipëria bëhet gati të dorëzojë Pyetësorin e BE, si kusht për pranimin e vendit në familjen e madhe evropiane, ende ka probleme me zbatimin e ligjit, një prej të cilëve më i përfoluri, ligji antiduhan.

Pothuajse të gjithë institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit antiduhan, që nga ministria e Shëndetësisë, bashkia e Tiranës, drejtoria Tatimore ngrenë supet dhe nën zë pranojnë dështimin e tij, kjo për një arsye të thjeshtë, pasi masa që ndëshkon shkelësit e ligjit, gjobat nuk kanë një dorë të fortë e cila duhet t'i ekzekutojë.

Sipas ligjit në fuqi, inspektorët sanitarë të Higjienës, pjesë e Inspektoriatit Sanitar Shtetëror kanë për detyrë të kryejnë kontrolle dhe të vendosin gjoba nëse vërejnë se shkelet ligji, nuk vendoset logoja ku ndalohet pirja e duhanit apo nuk hiqen tavllat e duhanit në tavolina.

Por këto gjoba duhen vjelur nga bashkia e Tiranës, një institucion vendor i cili bën pjesë në hallkat e zinxhirit të ngatërruar të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit antiduhan.

Vetëm në tremujorin e parë janë vendosur 51 gjoba e janë mbajtur rreth 600 procesverbale për paralajmërime gjobash por nuk dihet fati i tyre, në janë vjelur apo jo.

Inspektorja e Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik, Vojsava Sulce thotë për agjencinë e lajmeve "NOA", se gjobat janë vendosur në subjektet private, lokale, bare e restorante në pothuajse gjithë kryeqytetin dhe emrat e shkelësve të ligjit janë dërguar në bashkinë e Tiranës dhe punonjësit e saj, kanë për detyrë të ekzekutojnë vendimet e marra nga drejtoria e Shëndetit Publik.

Ndërsa drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, thotë se ecuria e ligjit varet nga ekzekutivi, nëse gjobat marrin titull ekzekutiv atëherë themi se po zbatojmë ligjin.

Për kryeinspektorin e Inspektoriatit Sanitar Shtetëror, institucioni që kryen direct inspektimet për ligjin antiduhan, nuk është koha të flitet për situatën aktuale, pasi ndryshimet ligjore që i duhen bërë ligjit antiduhan duket se nuk janë ende gati.

Deri sa të marrë udhë zbatimi i ligjit antiduhan, Shqipëria do të vazhdojë të përfshihet nga ethet e epidemisë së duhanpirjes, ku si rrallëherë të përfshirë janë meshkuj e femra, pa dallim moshe, niveli arsimor, në fshat e qytet.

b.a/e.r/NOA Shkruajini autores: blerina.ahmetaj@noa.al

Më shumë mbi argumentin: Duhanpirja, Higjiena: Në 3 muaj, trefish gjoba më shumë se vjet

KOMENTE