Preshevë, 13 prill, NOA - Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë reaguar për shkak të aplikimit të vizave nga ana e shtetit shqiptar.
Në vendkalimet shqiptare, kryesisht në Qafë-Thanë, qytetarë nga Lugina e Preshevës nuk janë lejuar të hyjnë në territorin shqiptar, për shkak të mosposedimit të vizës hyrëse. Autoritetet kufitare shqiptare i kanë sugjeruar qytetarëve të Luginës së Preshevës që të pajisen me viza hyrëse në ambasadën e Shqipërisë në Beograd.
Konkretisht, Muhamer. A nga Presheva i cili sot nuk është lejuar për të hyrë në kalimin kufitar Qafë-Thanë ka theksuar për agjencia INA se është detyruar që të kthehej në shtëpi, pasi është refuzuar nga policia kufitare.
"Më ndaluan që të hyj për shkak se nuk kisha vizë. Deri tani nuk kam pasur një problem të tillë, por ata më njoftuan se vizat do të vlejnë për të gjithë shtetasit e Serbisë", ka theksuar Muhamer. A nga Presheva.
Edhe një grup studentësh nga Lugina e Preshevës këto ditë gjithashtu janë ballafaquar me një problem të tillë në pikën e kalimit kufitar Qafë-Thanë.
Komuna e Preshevës pas situatës së krijuar ka kontaktuar ministrinë e Jashtme në Tiranë, ka konfirmuar se do të hiqet së shpejti kjo masë lidhur me kërkesën për vizë hyrëse për shqiptarët e Luginës së Preshevës në territorin shqiptar.
"Qeveria dhe Ministria e Jashtme shqiptare nesër do të mblidhet për të vendos largimin e kësaj mase administrative aplikim për vizë hyrëse në Shqipëri, vetëm për shqiptarët e luginës së Preshevës", ka bërë të ditur komuna e Preshevës, kryetari i së cilës, Ragmi Mustafa, ka komunikuar me përfaqësuesit e lartë të Ministrisë së Jashtme në Tiranë.
NOA/INA