Njohja e Republikës së Kosovës, nga Mbretëria e Swazilandit
Prishtinë, 13 Prill NOA - Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër ka marrë sot, një notë verbale nga ambasada e Swazilandit në Kuvajt me një shkresë përcjellëse të ambasadorit të Swazilandit në këtë vend, Princi Senzangakhona Phesheya Dlamini, i cili në cilësi të emisarit të posaçëm të ministrit të jashtëm të Swazilandit ka mbajtur kontakte dhe biseda për njohjen me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Londër, Dr. Muhamet Hamitin.
Nota verbale, të cilën e keni në shtojcë, siç mund ta shihni nuk i adresohet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës apo ndonjë institucioni tjetër në Kosovë, por ajo u drejtohet përfaqësuesve diplomatikë rezidentë dhe jo rezidentë të vet Mbretërisë së Swazilandit.
Në këtë notë, Ministria e Punëve të Jashtme e Swazilandit i njofton misioneve veta diplomatike, se "Mbretëria e Swazilandit ka bërë njohjen formale të Republikës së Kosovës".
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, tha se përmes kanaleve diplomatike është në kontakt me autoritetet e Swazilandit, me qëllim të formalizimit të plotë të njohjes.
a.b/NOA