Tiranë, 13 prill, NOA - Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e parë e Komitetit të zhvillimit të rajoneve, ku merrnin pjesë përfaqësues dhe drejtues të qeverive vendore, si dhe ministra të kabinetit.
Nga ana e tij, kryeministri u shpreh se krijimi i këtij Komiteti bën të mundur së pari, identifikimin e të gjithë problematikës së qarqeve të vendit, problematikë e cila do të paraqitet në këtë komitet pas diskutimeve të gjera me të gjithë përbërësit e një qarku, drejtuesit e bashkive dhe komunave, qytetarët, grupet e interesit, shoqërinë civile etj.
Kryeministri theksoi se krijimi i Komitetit të Zhvillimit të rajoneve synon një mbështetje më të fuqishme nga buxheti i shtetit për qarqet, koordinimin e projekteve midis qarqeve dhe balancimin e shpërndarjes së projekteve dhe financimeve nëpër këto qarqe.
Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh se qëllimi kryesor është mundësimi i zhvillimit të potencialeve në të gjithë territorin e vendit.
"Me Komitetin e Zhvillimit të rajoneve ne synojmë të ndërmarrim politika më të balancuara", shtoi Berisha, duke theksuar se qeveritë vendore janë përgjegjëse direkt për zhvillimin e rajonit të tyre.
"Politikat rajonale dhe përpjekjet për fuqizimin e rajoneve, duke investuar në radhë të parë në burimet e tyre njerëzore dhe krahas saj, në të gjitha potencialet që ato kanë, janë vendimtare për zhvillimin e vendit. Por këto politika kanë qenë dhe janë deficitare", apeloi kreu i qeverisë ndër të tjera.
n.e/NOA