Tiranë, 14 prill NOA - Plot 13 vjet pasi kreu një vrasje në Tiranë, ekstradohet në vendlindjen e tij një burrë që për hasmërinë që kishte i mori jetën një burri dhe plagosi një tjetër.
Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana tha sot se u krye ekstradimi nga Milano, Itali, drejt vendit tonë, i të kërkuarit shqiptar Besim Hamdi Doku, 50 vjeç, lindur në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr. 692, datë 25. 06. 2004, e ka dënuar Besim Doku me 23 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes me paramendim në bashkëpunim, e mbetur në tentativë" si dhe "Mbajtjes pa leje të armës luftarake", parashikuar nga nenet 78, 25, 22, 278/2, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Besim Doku, në datë 19 maj 1997, rreth orës 21.00, te zona "Bregu i Lumit", Tiranë, ka vrarë me armë zjarri për motive hasmërie shtetasin Ilmi Cuka dhe ka plagosur shtetasin D. Cuka.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Besim Hamdi Doku.
Në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
e.r/NOA