Elbasan, 14 prill, NOA - Forcat e policisë së Elbasanit kanë mundur arrestimin e dy personave, të cilët fshihnin në makinë dy pistoleta.
Lajmi bëhet i ditur prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se të ndaluarit janë Ervis Daka, 23 vjeç dhe Bledar Qosja, 22 vjeç, që të dy banues në qytetin e Elbasanit.
Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në një mjet tip Opel, me targa AI719EL, iu gjetën dy armë zjarri pistoletë TT, të cilat dy të lartpërmendurit i mbanin pa leje.
Nga ana e forcave policore, u sekuestruan në cilësinë e provës dy armët e zjarrit, ndërsa po punohet për sqarimin e plotë të kësaj ngjarje.
Materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme për veprën penale "Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit pa leje e organeve kompetente", e cila parashikohet nga neni 278/2 i Kodit Penal.
n.e/NOA