English

Interesat e kredive në Shqipëri, sa dyfishi i depozitave

Tiranë, 14 prill, NOA - Në fund të vitit 2009, depozitat e shqiptarëve në banka janë rritur me 12 % më shumë se viti paraardhës, duke shtuar likuiditetet në sistem. Ky fakt konfirmohet nga Agjencia e Garantimit të Depozitave.

Por kjo rritje nuk ka dhënë asnjë efekt pozitiv tek normat e interesit të kredive. Bankat në Shqipëri marrin depozitat e shqiptarëve me interes prej 6 % dhe këto fonde i japin kredi me 12%, në lekë.

E nëse kredia është afatshkurtër, interesi arrin deri në 14 % në vit, deputeti i Komisionit të Ekonomisë, Selami Xhepa është i idesë se ky raport shkon përtej shkakut kërkesë-ofertë.

Sipas tij, raporte të huaja kanë evidentuar se kostot e operimit të sistemit bankar shqiptar janë të larta, më të lartat në rajon dhe ky fakt, sipas Xhepës, tregon shkallën e konkurrencës në këtë treg. "Unë mendoj se bankat duhet të jenë më të zhdërvjellëta në këtë drejtim dhe ti takon sistemit monetar që të bëjë një studim të kësaj situate, për të gjetur shkakun", thotë Xhepa.

Por normat e larta të kredive ka frenuar ndjeshëm bizneset t'i drejtohen bankave për të marrë kredi, e për rrjedhojë janë frenuar investimet për ekonominë. Viti 2009 evidentoi një tkurrje të kreditimit, i cili u shoqërua edhe me rritje të normave të interesit të kredive. Artan Gjergji, ekspert ekonomie është i mendimit se ka nevojë për një zgjerim më të madh të sistemit bankar.

Sipas tij, 16 banka që operojnë në vend duken të pamjaftueshme për të krijuar një konkurrencë agresive në treg. Ndaj shtimi i operatorëve në këtë drejtim do të sillte një përmirësim të mëtejshëm të situatës.

Aktualisht norma e interesit të bonove të thesarit, arrin në 8 % dhe kjo është shifra reale, nga e cila duhet të nisë të aplikohet norma e kredive, pasi bankat e nivelit të dytë investojnë fondet e tyre në letrat me vlerë të qeverisë. Për shkak të kësaj situatë, shqiptarët janë orientuar drejt kredive ne euro, pasi janë më të lira.

r.l/NOA

KOMENTE