English

Intervista e plotë: Rrëfehet gruaja e Berishës: Ju tregoj për Saliun

INTERVISTA E PLOTE

Tiranë, 14 Prill - Liri Berisha, bashkëshortja e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, rrëfehet në një intervistë mbi jetën martesore me shefin e qeverisë duke rrëfyer çastet e bukura dhe të vështira në jetën e tyre. Liri Berisha ndalet edhe në angazhimet e saj në dobi të kategorive në nevojë veçanërisht fëmijëve përmes fondacionit të saj "Fëmijët Shqiptarë".

Në intervistën që i dha mbrëmë gazetarit Alfred Peza në Ora News, Liri Berisha ndalet gjatë në misionin e saj si mjeke dhe njeri i përkushtuar për fëmijët në nevojë por flet edhe për gjërat e saj private dhe pjesëtarët e tjerë të familjes.

Më poshtë ndiqni intervistën e plotë:

Zonja Berisha, pak ditë më parë ju u kthyet nga një udhëtim pune nga Nju Jorku në SHBA. Për ato që nuk kanë qenë shumë të vëmendshëm për detajet e medieve, për çcfarë ishte ky udhëtim dhe si shkoi ai?

Ne kishim një ftesë nga organizata më e madhe e autizmi "Autisem Speaks", në Nju Jork, me rastin e celebrimit të përvjetorit të tretë, të ditës botës botërore të ndërgjegjësimit për autizmin. E gjithë ceremonia ishte e organizuar nën kujdestarinë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Ishte një ceremoni e mbushur me aktivitete mjaft interesante, me mesazhe shumë të rëndësishme nga personalitete, si Presidenti Obama, zoti Ban Ki Mun, të cilët po mbështesin këtë iniciativë, këtë ndërgjegjësim të shoqërisë për autizmin, gjë që është një shpresë shumë e madhe për familjet që kanë dhe që vuajnë pasojat e autizmit.

Për ata që gjithashtu nuk kanë qenë të vëmendshëm në aktivitetet tuaja, me se merreni, si quhen fondacionet me të cilat ju operoni qoftë me autizmin, qoftë me elementë të tjerë, të cilat ne më pas do t'i shpjegojmë dalëngadalë...?

Unë kam prej gati 5 vitesh që kryesoj fondacionin "Fëmijët shqiptarë". Ky fondacion ka për qëllim t'i vijë në ndihmë fëmijëve shqiptarë në nevojë, veçanërisht fëmijëve shqiptarë me nevoja të veçantë. Në këtë grup problematik të fëmijëve me nevoja të veçanta hyn një grup i caktuar siç janë talasemikët, shumë të vështirë, hyjnë edhe fëmijët me autizëm. Fëmijët me autizëm janë problematik edhe për shoqërinë shqiptare, këta janë fëmijë problematik, është një problem i madh për shoqëritë e pasura dhe të zhvilluara kudo në botë. Pasi këta kërkojnë një asistencë të vazhdueshme, një asistencë profesionale, të përbashkët, të koordinuar dhe ndoshta gjithë jetën. Për këtë, fondacioni "Fëmijët shqiptarë" ngriti një qendër bashkë me miqtë e fondacionit brenda dhe jashtë Shqipërisë, për t'i ardhur në ndihmë familjeve dhe fëmijëve që kanë autizëm. Kjo qendër ka për qëllim, ose kryen funksionin e diagnostikimit dhe të trajnimit të fëmijëve me autizëm. Qendra është e pajisur me specialistë të fushave të ndryshme, me psikologë, me mjek psikiatër, terepasitë të zhvillimit, logopedistë, që janë terapistët e të mësuarit të folurit, fizioterapistë, punonjës social, të cilët punojnë në mënyrë të organizuar dhe bashkërisht për t'u ardhur në ndihmë fëmijëve në nevojë.

Si quhet qendra dhe ku ndodhet?

Qendra "Fluturo për jetën" dhe ndodhet në kryqëzimin e rrugës "Bardhyl" me rrugën "4 Dëshmorët".

Çfarë është autizmi? Nëse quhet edhe sëmundje...

Kjo nuk quhet sëmundje, autizmi është një çrregullim i zhvillimit të fëmijës, i cili e shoqëron atë gjithë jetën, që ka nevojë për një mbështetje të vazhdueshme, mjekësore, edukative, sociale. Pra, ka nevojë për një ndërhyrje shumëplanëshe të të gjithë aktorëve, duke filluar që nga strukturat shtetërore, private dhe prindërit, të gjithë bashkë. Unë duke qenë mjeke pediatre kam menduar gjithmonë, kur më binte rasti të takohesha me këta fëmijë, kam menduar që këto fëmijë kanë nevojë për një vëmendje krejtësisht të veçantë nga shoqëria. Gjithmonë ka qenë thelbësore të propagandoheshe nga persona që kanë një ndikim publik, këta të aktivizohen për të treguar se sa e rëndësishme është për shoqërinë shqiptare kthimi i vëmendjes, kthimi i vështrimit ndaj këtyre fëmijëve.

Pra, ju po thoni që është një çrregullim i lindur...

Jo, shkaqet nuk dihen, ndoshta prandaj edhe vonesa në diagonistifikim ose në ndërgjegjësim ka këtë arsye.

Dy prindërit si mund ta dallojnë tek fëmija i tyre autizmin?

Në shumicën e rasteve, prindërit janë ata që kapin këtë çrregullim, kanë atë shqisën prindërore, e cila i bën të dyshojë, që diçka nuk shkon me fëmijën e tyre, që diçka nuk shkon, ose që fëmija i tyre ka diçka më pak se moshatari, ose është më ndryshe se sa motra apo vëllai më i rritur. Në këtë rast, do të kisha një këshillë, menjëherë të mos ngurojnë, të mos ta mbajnë përbrenda, por direkte të paraqiten tek mjeku, edhe sikur kjo të jetë dyshim.

Kjo shenjë mund të jetë mungesa e përqendrimit ose diçka tjetër...

Nuk do të doja të hyja në detaje të tilla sepse fëmijët me autizëm kanë forma të ndryshme, shenja të ndryshme, por për mua është e rëndësishme vajtja menjëherë tek specialisti, për çdo gjë që prindi konstaton tek fëmija i tij.

Është i këshillueshëm pediatri apo në çdo mjek?

Fillimisht nëna ka kontakt me pediatrin, por ajo është e lirë që të shkojë dhe të takojë me specialistin, e rëndësishme është që të mos mbajë brengën brenda saj, dhe të mos lejë kohën të iki. Kjo pasi, kalimi i kohës është në dëm të fëmijës. Zakonisht kjo diagnostikohet në 18 muajt e parë të jetës, në rast se kapet në këtë periudhë ka shumë shanse që trajtimi të jetë më i lehtë.

Ju jeni mjeke pediatre, madje mjeke e njohur, kam lexuar një libër nga ju se si t'i rrisim të shëndetshëm fëmijët tanë. Me siguri ka qenë një moment ku ju jeni njohur dhe me autizmin, ka qenë në kohën kur ju keni qenë studentë në shkollë në fakultet, apo tani vonë?

Ky është një fenomen që kohët e fundit ka filluar të flitet. Në shkollë mund të them që s'e kemi bërë fare ose s'e kam fare të dëgjuar. Autizmi është dëgjuar kur kam filluar punën, para dy vitesh kur pyesnim njerëzit se çfarë është autizmi, të gjithë e lidhnin me një sëmundje të veshit. Mendoj se ndërgjegjësimi dhe puna që është bërë këto dy vite është aq e madhe saqë sot mendoj që nuk ka njerëz, nuk ka prind që nuk interesohet për këtë fenomen.

Ju vetë si ratë në kontakt dhe si vendosët të merreni me autizmin?

Gjatë jetës sime profesionale jam takuar shpesh me rastet, me fëmijë autik. Kjo përbënte gjithmonë tek unë një shqetësim të madh se çfarë bëhet me këta fëmijë, si trajtohen, pas trajtimit çfarë ndodh me ta. Më vonë kur mora fondacionin, vendosa t'i përkushtohem me aq sa mund t'i përkushtohesha bashkë me kolegë të tjerë, mjek specialistë, psikiatër, profesor të nderuar, psikolog, sociolog, punonjës social, në mënyrë që të shikonim se si është e përhapur dhe si paraqitet gjendja tek ne për autizmin. Vendosëm të bëjmë konferencën e parë ndërkombëtare, e cila u zhvillua para dy vitesh në Tiranë me pjesëmarrjen e shumë vendeve dhe një shtysë, ose një mbështetje e jashtëzakonshme për ne ka qenë organizata më e fuqishme në botë "Autisem Speaks", e cila me pjesëmarrjen e saj, në konferencën e parë dhe të dytë që u bë vjet, ka qenë jo vetëm shtyese, por edhe një orientuese dhe shpërndarëse e një modeli bashkëkohor për trajtimin e këtyre fëmijëve. Aty vendosëm të ngremë një qendër. Që të nesërmen e konferencës ne kemi pasur në mënyrë të përditshme vizitorë në qendrën tonë, prindër me fëmijë autikë, të cilët kërkonin ngritjen e qendrës. Atëherë ne vendosëm që para se qendra të ngrihet të marrim një qendër tjetër dhe të fillojë puna në këtë qendër që është qendra "Fluturo për jetën". Nuk është bërë akoma 1 vit e punës së kësaj qendre, aty kanë marrë trajtim rreth 200 fëmijë dhe 40 prej tyre marrin terapi intensive.

Keni bërë ju një studim tani, në të gjithë territorin e vendit, në të gjithë popullatën, ka filluar një lloj le të themi, listim të rasteve, kemi të dhëna më të sakta tani se sa e përhapur, si, ku dhe kështu me radhë.

Autizmi është një çrregullim që nuk zgjedh, mund të kapi këdo, të pasur, të varfër, pa dallim ngjyre, vendi. Në ministrinë e Shëndetësisë gjenden statistika, po mendoj se statistikat janë të rasteve të paraqitura. Për shkak të stigmës, e cila këto kohë po luftohet dhe ka ndryshime goxha të mëdha, prindërit dhe fëmijët autikë paraqiten vetë. Ata përpara kanë pasur ndrojtje për të nxjerrë këta fëmijë, ndiheshin të turpëruar, madje mund t'ju them se ndiheshin si fajtorë që kishin fëmijë me autizëm. Autizmi nuk zgjedh. Ndërtimi i qendrës së re në Farkë, e cila ka filluar punimet e saj...

Po ajo ka ndonjë emër të veçantë?

Mendoj se kjo qendër do të trajtojë fëmijët autik, por ndoshta do të trajtojë edhe fëmijët me probleme të tjera të zhvillimit mendor. Kjo qendër do të jetë një qendër ditaktike, do të jetë një qendër që të shpërndajmë modelin e trajtimit bashkëkohor, do të jetë një qendër ku do të merret eksperienca edhe e profesionistëve që do të punojnë me autizmin, por edhe me prindërit që kanë fëmijët me autizëm.

Keni ju një këshillë për prindërit, në fakt ju thatë diçka pak më përpara, por një këshillë më e koncentruar për prindërit, por në momentin që ata dallojnë që fëmija e tyre ka shenja të cilat nuk dinë të japin shpjegime, se s'janë të gjithë mjek.

Këtu, këshilla kryesore, që vlen të përmendet është të mos humbasin kohë. Këta prindër mbajnë barrën më të rëndë në këtë rast, pësojnë traumën më të madhe, por janë po këta prindër që me forcën e tyre, që është po aq e madhe sa ç'është dhe dashuria që kanë për fëmijën, dalin në mbrojtje, dalin në trajtim të fëmijës, bëjnë një rrugë të gjatë me fëmijën e tyre. Kam parë kohën e fundit një organizim të prindërve me fëmijët autik, e përshëndes dhe e vlerësoj shumë organizimin e tyre. Një zë i vetëm asnjëherë nuk mund të shkojë aty ku duhet, kurse një zë i fuqishëm që vjen nga shumë prindër, me një problem të veçantë siç është autizmi, do të godasë aty ku duhet dhe do të dëgjohet aty ku duhet.

Çfarë duhet të bënin më shumë prindërit, përveç këtij organizmi, kjo është në formën e sensibilitetit, apo kanë krijuar organizatën e prindërve të fëmijëve autik e kështu me radhë...

Kohët e fundit unë kam dëgjuar që kanë krijuar shoqata, më vjen shumë mirë dhe i përshëndes për këtë. Mendoj që duhet të jenë të organizuara, duhet të jenë një oponencë e fuqishme karshi strukturave shtetërore, duhet të ngrenë zërin e tyre dhe të dinë se çfarë të kërkojnë, duke qenë bashkë ata janë më të organizuar dhe mënyra e kërkesave për mbështetje është më e organizuar dhe më e pjekur. Por, gjithmonë them dhe e theksoj, që mbështetja për këta persona duhet të jetë e vazhdueshme, duhet të jetë e gjithanshme, dhe e përbashkët. Komuniteti është ai që duhet të ndihmojë në mënyrë që të mos krijohen diskriminime dhe disavantazhe për këtë pjesë.

Një prind i një fëmije autik është edhe zoti Edmond Tupja, i cili ka bërë një libër vërtetë prekës për rast, mendoj që është një rast shumë i mirë për të rritur sensibilitetin karshi fenomenit dhe besoj që është edhe kjo një ndihmë për ju, për të gjithë shqetësimin dhe për ata që qëllim që ju i keni dhënë vetes.

Dua ta përshëndes profesor Tupen për librin mjaft prekës që ka nxjerrë në botim, që është një libër shumë i vlefshëm për dy arsye. E para, për ndërgjegjësimin, për t'u larguar nga ajo stigma e të pasurit turp, ose të ndjerit në siklet se ke një fëmijë të tillë. E dyta, është një libër që u tregon prindërve se sa e gjatë është dhimbja, se si mund të ecet me këtë dhimbje, dhe se si mund të shikosh dritë, dhe të nxjerrësh gëzim edhe nga dhimbja. Unë e përshëndes vërtetë. Ka qenë një libër që bëri vërtetë jehonë në shoqërinë tonë. Dua po ashtu, mëqënëse më jepet rasti, të përshëndes këtu edhe të gjithë ata aktorë që morën pjesë në spotin televiziv të datës 2 prill, që u dha në të gjitha televizionet shqiptare, siç ishte rasti i sopranos së mirënjohur Inva Mula, futbollistit të famshëm Lorik Cana, mikut të palodhur të fondacionit tonë Artan Hoxhës, gazetarit të mirënjohur Blendi Fevziu, dua të përshëndes dhe të shpreh mirënjohjen për televizionet dhe mediat shqiptare që në bllok, në mënyrë profesionale, do të thosha surprizë, kanë dhënë këtë spot televiziv dhe mesazhin për dy prillin.

Është nga të paktat raste, unike do të thosha që ka një sensibilitet të tillë me një çështje të caktuar, në këtë rast autizmi.

Shumë problematik.

Prandaj ne po qëndrojmë kaq gjatë, që të ndihmojmë sadopak në rritjen e sensibilitetit tek prindërit dhe të gjithë ata që e dallojnë atë, dhe do të donin ndihmë apo t'i përkushtoheshin në mënyrë që ta trajtonin me sa më pak dhimbje që do të jetë e mundur, që nga momenti i parë dhe gjatë jetës. Ju thatë që në fakultetin e mjekësisë, kur ju keni qenë studente, nuk ka qenë në literaturën të studenteve, a është pjesë e strategjisë suaj edhe futja e autizmit që në bankat e shkollës, që në fakultet, në mënyrë që mjekët e ardhshëm, infermierët e ardhshëm. Tani mund të ketë disa kohë që kjo studiohet, pasi autizmi nuk është kaq... Unë po flas për kohën kur kam mbaruar shkollën, ka shumë vite, ndërsa tani flitet patjetër, flitet shumë, është në literaturën e fakultetit të mjekësisë, bëhen mësime në universitetin e infermierisë, në universitetet e sociologjisë dhe psikologjisë.

Pse i është dhënë kaq pak vëmendje në fakt këtij fenomeni?

Kjo nuk është se i është dhënë pak vëmendje, por ka qenë një fenomen jo i njohur dhe për Shqipërinë ka ardhur edhe më vonë se a vendet e tjera, por mund të them se angazhimi i personaliteteve të rëndësishme botërore, si Presidenti Obama, zoti Ban Ki Mun dhe figura të tjera të shoqërisë, të artit, të kulturës, në këtë fushatë, në këtë sensibilizim unë mendoj se krijojmë një shpresë të madhe për këto familje që kanë probleme me fëmijët autik.

Ju përmendet zotin Obama, i cili në fakt në strategjinë e re të shëndetësisë që ai firmosi para pak ditësh në SHBA, çështja e autizmit është e treta, pas sidës dhe pas kancerit, për t'u trajtuar dhe financuar. Statistikat tregojnë se 1% e njerëzve në të gjithë botën janë të prekur nga autizmi. Ndërkohë që në Shqipëri ka të dhëna të sakta, sa vëmendje i kushtohet edhe në këtë drejtim, qoftë nga buxheti, qoftë nga elemente të tjera, që të jetë situata totalisht në kontroll, aq sa mundet.

Mendoj që autizmi është kudo, në çdo vend të botës, si përhapje e njëjtë. Ne vërtetë nuk mund të them se kemi statistika të sakta, ne si fondacion po punojmë në mënyrë mjaft të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë për përpilimin e statistikave të reja, po punojmë për hapjen e një biblioteke me libra që do t'i shërbejnë specialistëve, por edhe prindërve. Për këtë, ne kemi ndihmën e çmuar të "Autisem Speaks", të cilët na kanë dhënë të drejtën e përkthimit dhe përdorimit të librave që ato përdorin.

Kjo besoj se do të jetë shumë me vlerë sepse pas vitit 1990 nevojat tona, përveç të tjerave, kanë qenë edhe për literaturë bashkëkohore, gjë që na ishte mohuar jo vetëm në rastin e autizmit, por edhe në të gjitha fushat, edhe në gazetari nuk ka ekzistuar pothuajse asnjëlloj libri.

E rëndësishme që të mos humbasim kohë, kemi humbur kohë, por tani kemi edhe modele nga ku mund të drejtohemi dhe të fitojmë atë kohë të humbur, të paktën tani që kemi mundësi.

Kush është rruga më e mirë për ta fituar këtë kohë të humbur? Kush do të jenë hapat e mëtejshëm për të bërë gjënë e duhur...

Është shumë e rëndësishme vazhdimi, vazhdimi dhe vazhdimi i ndërgjegjësimit të shoqërisë tonë për autizmin. Bashkëpunimi me institucionet e tjera homologe brenda dhe jashtë vendit, në vizitën që patëm herën e fundit në Nju Jork, u vlerësua shumë puna e bëra nga fondacioni i "Fëmijës shqiptar" për autizmin. U vendos që në muajin tetor, nga fundi i vjeshtës, të organizohet një konferencë rajonale ballkanike në Shqipëri, ku fondacioni "Fëmijët shqiptar" të jetë lider në zhvillimin e kësaj konferencë, por jo vetëm në këtë konferencë, por edhe në atë aktivitetet e tjera që do të zhvillohen në të ardhmen për autizmin.

Në fund të vitit ju zhvilloni një mbrëmje gala, sa e rëndësishme është kjo, është si një lloj përmbyllje për vitin dhe çfarë aktivitetesh të tjera do të kemi.

Fondacioni është jofitimprurës dhe joqeveritar, të ardhurat e fondacionit krijohen në bazë të aktiviteteve që fondacioni organizon, të mbështetura nga biznesi shqiptar. Galaja është aktiviteti i fundit, i cili organizohet me shumë energji dhe me shumë dashuri nga i gjithë stafi i fondacionit, nga të gjithë aktivistët...

Një nga pyetjet që lind vetvetiu kur ka fondacione të tilla të cilat janë shumë aktiv dhe përmasa që e tejkalojnë modestinë e një aktiviteti të një fondacioni normal, për shkak edhe se vetë detyra që ka marrë përsipër është e tillë. Si financohet ky fondacion, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë më mirë edhe funksionet e tij.

Ky është një fondacion joftimprurës, joqeveritar, i cili në saj të aktiviteteve që bën dhe i mbështetur nga biznesi arrin të sigurojë të ardhura për t'u ardhur në ndihmë fëmijëve në nevojë, të cilët janë të shumtë. Fëmijët nuk janë vetëm fëmijët autikë, janë fëmijët me probleme të rënda të mushkërive, të zemrës, talasemisë, që kërkojnë operacione dhe për shkak të infrastrukturës së munguar këtu, ne detyrohemi t'i bëjmë jashtë, duke u lidhur me klinika të veçanta, operacione të syve, transplante. Domethënë, të gjitha këto bëhen në sajë të mbështetjes që jep biznesi shqiptar, unë jam shumë mirënjohës se ka qenë shumë i gatshëm, ka qenë gjithmonë prezent në këtë dhimbje që fondacioni është munduar ta paraqesë.

Ju përmendet talasemikët, por edhe grupe të tjera fëmijësh në nevojë, siç ju keni parë shpeshherë, të merrni pjesë në aktivitetet qoftë në ndihmë të fëmijëve të policëve të vrarë, apo grupeve të tjera shoqërore. Ku shtrihet aktiviteti juaj përveçse autizmit?

Fondacioni "Fëmijët shqiptarë", i ka degët të shtrira në të gjitha rrethet e Shqipërisë, kudo ku ka dhimbje, kudo ku ka probleme të vështira për t'i zgjidhur, ndodhet pranë fondacioni "Fëmijët shqiptarë". Kemi pasur raste të shumta të fëmijëve që u është dashur të operohen, të bëjnë transplante, të bëjnë kurime jashtë vendit.

Ju ua keni dhënë këtë ndihmë... Keni ju një statistikë se sa fëmijë kanë arritur të përfitojnë ndihmë nga aktiviteti juaj?

Nga aktiviteti kanë përfituar shumë fëmijë, fëmijë në nevoja shëndetësore, që janë të shumta, qoftë operacione, qoftë në mjekime, kanë përfituar ndihmë familjet me ekonomi të varfër, kanë përfituar fëmijët jetimë, fëmijët e policëve të vrarë, kemi mbi 100 raste të fëmijëve jetimë, të cilët vazhdojnë shkollën në sajë të bashkëpunimit të fondacionit shqiptar me universitetet private.

Ju kemi parë aktiv në këtë periudhë kur ishin përmbytjet në veri për shembull..

Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit, organizuam mbledhjen e një ndihme të konsiderueshme për ta përdorur një nga fshatrat e mbytura të veriut, ndoshta mund të përdoret për ngritjen e një shkolle që mungon, ose për ngritjen e një qendre shëndetësore, ajo që do të jetë më e domosdoshme për fshatin.

Ju përmendët si aktivitet të fondacionit tuaj edhe çështjen e talasemisë. Ndoshta ia vlen të ndalojmë pak tek çështje...

Edhe ky është një problem mjaft aktual, fondacioni ka qenë gjithmonë aktiv në drejtim këtij fenomeni. Para tre vitesh fondacioni në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë kanë ngritur qendrën e talasemisë, një qendër të madhe për problemet e sëmundjet e gjakut në Lushnje, për t'i ardhur në ndihmë pikërisht kësaj zone, zonës së jugut, zonave që janë të prekura nga ky fenomen. Qendra është e pajisur me laboratorë mjaft moderne, është një qendër që funksionon shumë mirë dhe fondacioni ndihet vërtetë mjaft i kënaqur me këtë që ka bërë. Fondacioni "Fëmijët shqiptarë" ka disa kohë që në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë, ministrinë e Mbrojtjes, ministrinë e Arsimit, me qendrën e konservimit të gjakut, sensibilizon, ndërgjegjëson për dhurimin e gjakut nga e gjithë popullata. Në rast se këto fëmijë do të marrin gjak në mënyrë të vazhdueshme, jeta e tyre mund të konsiderohet, mund të bëjë një jetë normale.

Në këtë aktivitet tuajin për fondacionin "Fëmijët shqiptar" sa kohë i kushtoni dhe çfarë projektesh afatgjata keni?

Koha që unë shpenzoj në fondacion është një kohë që mua më kënaq, e bëj me shumë dëshirë, është një kohë që po të jetë dita më e gjatë, do të thosha që përsëri do të kaloja nga fondacioni. Puna që bëj është një përmbushje e atij qëllimi që fondacioni ka, të bëjmë diçka për fëmijët në nevojë, kushdo që ka mundësi, duhet të bëjë diçka për fëmijët në nevojë.

Kur e konsideroni si të përmbyllur misionin tuaj në drejtim të fondacionit, vetë ju keni një objektiv fundor?

Për ne është shumë e rëndësishme që të ngremë këtë qendër të cilën e kemi filluar, është e vështirë sigurisht, qendra e Farkës, ngritja e kësaj qendre po na ha një pjesë të mirë të kohës dhe të angazhimeve. Për sa i përket problemeve të tjera, fondacioni "Fëmijët shqiptar" ka gjithmonë diçka për të bërë. Gjithmonë ka probleme me fëmijët, gjithmonë do të ketë nevojë dhe misioni i këtij fondacioni gjithmonë do të vazhdojë.

Aktiviteti juaj shtrihet edhe në një sferë tjetër, sigurisht po aq e rëndësishme edhe kjo, sepse drejton fondacionin "Nënë Tereza", pse ky fondacion dhe çfarë qëllimesh ka ky fondacion?

Ky fondacion u ngrit përpara dy viteve, u ngrit për të promovuar vlerat e Shqipërisë, vlerat e vendit, për të promovuar virtytet e popullit tonë. Më bukur, më mirë se sa emri i Nënë Terezës nuk mund të kishte si simbolikë e këtij fondacioni. Ky fondacion ka disa objektiva, një ndër të ta është të ndihmojë në ngritjen e muzeumit të Nënë Terezës, duke kontribuar në mbledhjen dhe përzgjedhjen e koleksionimit të objekteve që mund të gjenden të përdorura nga Nënë Tereza apo nga familja e saj, të organizojë konferenca, të organizojë simpoziume, të ketë lidhje me institucione homologe brenda dhe jashtë vendit. Me rastin e 100-vjetorit të ditëlindjes së saj, fondacioni ka organizuar dhe do të organizojë mjaft aktivitete. Një aktivitet që është shumë i rëndësishëm do të realizohet në fund të muajit me hapjen e dy ekspozitave në Uashington dhe në Nju Jork. Rëndësia është se dy këto ekspozita bëhen në bashkëpunim të fondacioni "Nënë Tereza", me miqtë e Nënë Terezës në Nju Jork dhe në Uashington. E rëndësishme është se hapja e këtyre dy ekspozitave... Është një histori e përbashkët, etnografike, historike, me objekte të familjes, me objekte të Nënë Terezës, e rëndësishme është që kjo ekspozitë do të hapet në një nga sallat e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, dhe në një nga sallat e Kongresit Amerikan në Uashington.

Pra do të jetë në dy godinat më të rëndësishmet të Nju Jorkut dhe Uashington. Ka filluar puna ose ekziston një fond i objekteve të Nënë e Terezës dhe si punohet për grumbullimin e këtij fondi, pasi kemi parasysh që aktiviteti i saj është shtrirë edhe në Indi, edhe në vende të tjera ku ajo kryer misionin e saj shumëvjeçare humanitar...

Sigurisht që është shumë e vështirë, kudo që ajo ka shkelur, kudo ku ajo ka shkuar, të gjithë mundohen ta bëjnë pjesë të vetes Nënë Tereza. Nënë Tereza është shqiptarë, e ka thënë këtë, por për ne është shumë e rëndësishme që të korrigjojmë atë pjesë të historisë që e mësuam shtrembër, që të mbushim atë boshllëk të asaj kohe që nuk na nderon.

E keni fjalën për periudhën e komunizmit...

Po, kur Nënë Tereza nuk u pranua. Aktivitetet tona për Nënë Terezën duhet të jenë jo vetëm me rastin e 100-vjetorit, por të vazhdueshme, për të ridimensionuar jo figurën e Nënë Terezës, por figurën tonë karshi saj.

Ka pasur një debat herë pas here në lidhje me figurën e saj, ku siç ndodh me njerëzit e shquar, secili nga shtetet kërkon ta bëjë të veten, qoftë India, qoftë Maqedonia, e kështu me radhë. Por, për fatin tonë të mirë dhe të gjithë njerëzimit, Nënë Tereza në fjalinë e marrjes së çmimit Nobel për paqen ka pohuar me plotgojën që është shqiptare, me gjak shqiptare, e lindur dhe e rritur nga prindër me gjak shqiptarë. Kjo e ka lehtësuar punën e kujtdo dhe aq më tepër ka vështirësuar punën e tyre që duan të përvetësojnë një gjë që nuk është e tyre. Fondacioni Nënë Tereza, me sa dimë ne, nuk e ka shtrirë aktivitetin në Tiranë. Si funksion ky fondacion, ku është i shtrirë nga pikëpamja gjeografike, anëtarësia e tij dhe kështu me radhë...

Ky fondacion ka dy vite që funksionon, ka ngritur degët e tija në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Mund t'ju them që anëtarësimi deri tani ka arritur tek tre mijë anëtarë. Do të doja të bëja një thirrje, që kushdo që ka objekte të Nënë Terezës, kushdo që ka materiale që lidhen me jetën e Nënë Terezës, do të ishte mirë t'i grumbullonte dhe t'i sillte në Tiranë, në muzeun që mundohet të hapet. Nënë Tereza është një figurë me përmasa shumë të mëdha, është një figurë që ka falur dashuri dhe mirësi të gjithë botës, të gjithë duan ta bëjnë pjesë të saj, por edhe njëherë them është shumë e rëndësishme kushdo që ka materiale, kushdo që ka dokumente të lidhura me jetën e Nënë Terezës, ose me familjen, ose me vetë Nënë Terezën, është shumë mirë t'i dorëzojë për muzeun.

Pra, për ta mbyllur këtë pjesë të intervistës sonë, ju drejtoni dy fondacione, fondacionin "Fëmijët shqiptar" dhe "Nënë Tereza". Si qëndrojnë këto të dyja brenda jush, keni ndonjë preferencë, apo të dyja janë me balancë me njëra-tjetrën?

Më duket sikur këto janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, Nënë Tereza ka qenë mishërimi i dashurisë, mirësisë, përkushtimit, fondacioni "Fëmijët shqiptar" punon pikërisht për këta fëmijë të cilët kanë nevojë, kërkojnë mbështetje, kërkojnë përkushtim, më duket sikur janë të lidhura bashkë dhe nuk mund se njeri është më lart se sa tjetri. Misioni i tyre do të vazhdojë aq sa të jetë dashuria, miqësia dhe...

Domethënë pafund. Jam i kënaqur edhe unë si prind, por edhe si gazetar, si qytetar i vendit tim që gjithmonë e më tepër gjenden aktivitete dhe krijohen fondacione që merren me disa pjesë që dikur, ndoshta edhe për shkak të nevojave më emergjente që kemi pasur, nuk merreshim ose thuajse i kishim harruar. Do të doja të kaloja në një dimension tjetër tuajin, tek dimensioni i një gruaje të angazhuar, i bashkëshortes së kryeministrit të Shqipërisë, por edhe një mjeke të njohur. Ju si bashkëshorte e Kryeministrit të Shqipërisë, përveç aktiviteteve që ju drejtoni, keni edhe një aktivitet, pasi protokolli zyrtar, por jo vetëm, ju dikton ju që të jeni shpesh edhe në takime, në pritje, në udhëtime. Si e përballoni dhe çfarë kohe ju han kjo pjesë e aktivitetit?

Ky status është një dimension që padyshim që krijon një përgjegjësi, i cili pas atij angazhimi protokollar në mënyrë të natyrshme lind edhe angazhimi tjetër social, të cilin unë e bëj me shumë përkushtim dhe me shumë dëshirë. Ka kohë që jam vërtetë tepër e angazhuar, e thashë edhe më përpara, që po të ishte dita më e gjatë, përsëri po aq do të punoja. Unë mendoj se kam fituar një farë eksperience për ta menaxhuar këtë mënyrë pune. Kohën të madhe ia përkushtoj fondacionit "Fëmijët shqiptarë". Dita fillohet me një kafe bashkë me fëmijët, kur jepet mundësia, pastaj fillon puna në fondacion, e cila ka raste që vazhdon edhe pasdite. Mundohem të mos lë mënjanë shoqërime time, të takohem shpesh me ta, të ndjek jetën artistike, si ekspozitat e librit, të pikturës, operën, baletin, që për fat të mirë këto kohë Tirana i ka mjaft të rigjallëruara. Aktiviteti është mjaft i ndjeshëm, koha të cilën mezi e pres dhe nuk lejoj të cenohet është koha që harxhoj me fëmijët, me mbesat dhe me nipërit, të cilët kanë angazhime të ndryshme.

Si qëndrojnë të gjitha këto funksione në harmoni me njëra-tjetrën brenda jush?

Jam munduar që të menaxhoj në mënyrë të ekuilibruar kohën për familjen, për fondacionin "Fëmijët shqiptarë", fondacionin kulturor "Nënë Tereza", për protokollin, është e vështirë, por thashë edhe njëherë që kam krijuar një far ekuilibri në menaxhimin e këtyre aktiviteteve.

Pra jeni në harmoni të plotë me veten dhe të gjitha funksionet...

Dua të them këtë që aktivitetet protokollare vërtetë zënë kohën e tyre, por nuk mund të mohoj faktin që këto aktivitete nuk kanë bërë të mundur të zhvillojë, ose të kryejë dhe aktivitete të tjera në dobi të fondacionit "Fëmijët shqiptarë" si rezultat i lidhjeve që bëj me njerëzit brenda dhe jashtë vendit, si rezultat i statusit, domethënë ka qenë një lehtësi për kryer shumë aktivitete.

Është një shprehje e njohur që thotë që prapa çdo burri të suksesshëm dhe Sali Berisha është një politikanët më të suksesshëm të këtyre 20 viteve, ashtu siç ka qenë edhe një nga mjekët e suksesshëm deri në vitin 1990 në Shqipëri, qëndron një grua e zgjuar edhe e fortë. Ju në këtë udhëtim tuajin 20-vjeçar të pjesës politike të bashkëshortit tuaj, kush kanë qenë disa nga ato momentet më të bukura dhe të vështira që kujtoni veçanërisht...

Deri në vitin 1990 kam qenë një mjeke pediatre e përkushtuar për pacientët e mi të vegjël të zonës që mbuloja. Pas viteve '90 sigurisht që jeta ime u bë më e larmishme, kishte mjaft ndryshime, ndryshime të cilat mund të them që më kanë ndryshuar edhe mua në drejtim të vlerësimit të problemeve, në drejtim të raportit me njerëzit, në drejtim të mësimit të shumë gjërave të reja...

Ju thatë që e kujtoni po me aq nostalgji edhe periudhën që keni qenë pediatre...

Ka qenë periudha më e bukur, ka qenë periudhë që e kam dashur shumë profesionin tim, kam gjetur shlodhjen, gëzimin, mundimin, kënaqësinë e jetës sime në profesion, ka qenë vërtetë, tani e kujtoj me shumë nostalgji, pasi kam gati një vit që jam shkëputur nga ky profesion.

Kush janë momentet më të bukura që ju kujtoni këtyre 20 viteve gjatë bashkëshortit tuaj politikan?

Gjatë këtyre viteve kam pasur momente vërtetë të bukura gjatë, ka pasur dhe momente të vështira. Ndër momentet e vështira do të përmendja atë që ka qenë vështirësi për të gjithë shqiptarët, viti 1997. Ndërsa momentet e bukura kam pasur fatin të jem dëshmitare në realizimin e shumë evenimenteve të cilat ngelën në jetë të skalitura, siç është ndërrimi i sistemit, është pavarësia e Kosovës, hyrja në NATO, MSA, në Këshillin e Evropës. Domethënë janë evenimente të cilat të krijojnë emocione të pashlyeshme, janë emocione të cilat nuk mund të shlyhen nga jeta e një njeriu.

Ka një përjetim publik, pasi zoti Berisha qoftë në ndërrimin e sistemeve, ka qenë protagonist absolut për rikthimin e pluralizmit politik në Shqipëri, qoftë për fitoren e parë Partia Demokratike, por edhe të gjithë ato evenimente që ju thatë. Në shtëpi ka një ndryshim në përjetimin e këtyre emocioneve nga ai përjetim publik që bëhet, që është i përcjellë përmes pamjeve filmike nga zoti Berisha, apo është i njëjtë ky gëzim. Ka një përjetim ndryshe?

Po sigurisht. Pa dyshim që çdo vend politik kur diskutohet në shtëpinë e një politikani është gjithmonë më prezent, diskutohet, përjetohet.

Vazhdojnë dhe bisedat politike...

Sigurisht në shtëpinë e një politikani diskutohen dhe probleme të tjera, diskutohen probleme familjare, diskutohen shqetësime të ndryshme, por politika është prezente, nuk shmanget dot.

Pavarësisht se Sali Berisha është në shtëpi dhe prind dhe gjysh, por prapë nuk shmanget politika.

Sigurisht.

Duke qenë se bisedat politike tuaja nuk janë të ndara nga jeta familjare, madje besoj se nuk dihet ku fillon njëra dhe mbaron tjetra, dhe anasjelltas, për shkak të një angazhimi kaq të madh. Çfarë e ka gëzuar më shumë Sali Berishën nga arritjet e tij politike gjatë këtyre 20 viteve?

Ka pasur arritje të cilat nuk janë një, por janë disa. Pluralizmi ka qenë një arritje që e ka gëzuar, një nga arritjet më emocionantet. Që e kemi përjetuar ndoshta edhe familjarisht shumë më tepër ka qenë pavarësia e Kosovës, hyrja në NATO, dëshira e madhe për në BE, liberalizimi i vizave, MSA-ja, po ato që përmenda pak më lart për veten time.

Zoti Berisha ka lënë të kuptohet publikisht disa herë që vetëm Zoti mund ta largojë nga politika, në kuptimin që jeta e tij tashmë dhe destini i tij në jetë është politika, deri në fund. Madje ka thënë edhe që 30 vite të tjera do të jetë në politikë. A keni ju një dëshirë që në një moment të caktuar që pasi të arrijë ndoshta edhe ëndrrat e tij më të mëdha në politikë të thuhet stop dhe ju të vazhdoni jetën tuaj jashtë politikës, gjithsesi me të gjithë ato arritje dhe mosarritje...

Politika është një mision dhe pasion për Sali Berishën. Këtë pyetje nuk ia bëj vetes sime, kështu që atij nuk ia bëj kurrë. Politika është një mision dhe pasion i tij, nuk mund të mendosh që t'i heqësh Berishës misionin dhe pasionin e tij, e mbështes në të gjitha mendimet dhe veprimet e tij.

Ju e keni mbështetur në të gjitha zgjidhjet e vështira që i duhet një bashkëshorti të marrë në jetë, për shembull, ndërrimi i profesionit nga mjek në politikan, apo edhe në këtë vendim për të vazhduar deri në fund qenien e tij në politikë. Ne diskutojmë çdo problem familjar, çdo shqetësim familjar, por edhe shqetësime të tjera ndahen sëbashku. Sigurisht që e kam mbështetur në të gjitha vendimet që ai ka marrë në politikë, në profesion, kemi pasur rrugë të përbashkët dhe kemi qenë mbështetje e njëri-tjetrit.

Thuhet që shpesh që politikanët që përveç këshilltarëve, që përveç stafeve të tyre, për shkak edhe se janë qenie familjare, konsultohen edhe me familjarët e tyre, kjo është krejt normale. Ju jeni një nga këshilltarët e zotit Berisha për vendime të rëndësishme?

Ne këshillohemi për shumë probleme familjare dhe shqetësimet që lindin i ndajmë bashkë.

Gjatë fushatave elektorale unë kam pasur t'ju takoj nëpër Shqipëri, ku ju keni qenë bashkë me kryeministrin, bashkë me zotin Berisha, e ndiqni gjithmonë në fushatë elektorale, apo ndodh që e ndiqni edhe nga ekranet e medieve, nga televizorët, nga gazetat?

E kam ndjekur në pothuajse në të gjitha fushatat elektorale, mund të them që jam pjesë e çdo fushate elektorale. Unë bëj pjesë aktive në fushatën elektorale. Në të gjitha fushatat elektorale kam qenë prezente dhe fushatës elektorale.

Duhet të jeni më prezente sepse politikani Berisha në këtë periudhë është edhe më shumë i angazhuar, dhe më i stresuar, ka më shumë nevojë për kujdes...

Jo vetëm kjo pjesë, janë pjesë e fushatës.

Keni bërë publik kështu një element që ju nuk jeni shprehur dhe gjithmonë e kam menduar që një pjesë e suksesit ka qenë edhe prania juaj pranë Kryeministrit...

Nuk mund të them që pjesë e suksesit në fushatë ka qenë Liri Berisha, por ka qenë pjesë e fushatës elektorale.

Do të doja të kaloja në një pjesë tjetër. Sa rëndësi i kushtoni pamjes suaj të jashtme?

Është shumë e rëndësishme për një grua të ketë një luk të pranueshëm, përpara vetes, përpara familjes, përpara shoqërisë, është mjaft e rëndësishme që lukun ta paraqesë brenda një kornize sa mirë. Por, duke u bërë person publik, mendoj që përkujdesja shtohet akoma edhe më tepër. Për sa i përket veshjes, ne kemi qenë ai brez që nuk kemi pasur veshje firmato apo bizhu, kemi qenë brezi që kemi dëshiruar, por që nuk i kemi pasur. Megjithatë në veshjen time kam krijuar stilin tim, vishem me atë që më pëlqen dhe më shkon, mundohem të jem e pranueshme për të gjitha shtresat shoqërore që ka vendi. Pasi e di që në veshjen time, duke qenë një njeri publik, nuk jam vetëm më vetëm Liri Berisha, por përfaqësoj të gjitha këto shtresa që shoqëria ka.

Duke u kujdesur për lukun tuaj thatë që keni një stil tuajin, ai vihet re lehtësisht tek pjesa zyrtare të paktën, që është stili klasik. Keni një ndarje, gjatë kohës që jeni në publik dhe në angazhimet publike, me veshjen jashtë angazhimeve publike, në fundjavë?

Sigurisht që në momente të veçanta duhen veshje të veçanta. Jo vetëm pushimi, aktiviteti jashtë politikës, por edhe takimet jashtë të kërkojnë një paraqitje krejt tjetër. Mundohem të jem e kujdesshme në këtë drejtim, të jem sa më korrekte dhe sa më brenda kornizës.

A ka qenë një moment i veçantë, ku realisht mund të jeni shqetësuar për të qenë në lartësinë e duhur, për ta përfaqësuar Shqipërinë nëpërmjet të qenit gruaja e Kryeministrit të këtij vendi në një takim të veçantë me zonjën Bush, ose me dikë tjetër... Kujtoni diçka të tillë?

Nuk mund të them në takime me këto zonjat. Por, në fillimet e para, kur Saliu ishte President dhe Shqipëria doli nga një varfëri, sigurisht që më shqetësonte mënyra e zgjedhjes të veshjes sime kur dilja jashtë. Por nuk them se më ka shqetësuar shumë sepse gjithmonë brenda një kuadri jam munduar të paraqitem sa më thjeshtë dhe sa më pranueshëm. Nuk më ka shqetësuar shumë problemi i firmatos, ai është i domosdoshëm në disa raste.

Kam dëgjuar komente të tilla qoftë edhe nga bashkëshortja ime që çfarë firme do të jetë kjo, çfarë parfumi përdor zonja Berisha, ose këpucët, siç kanë qejf gratë deri tek detajet e imta. Keni ju firma të veçanta?

Sigurisht që më pëlqejnë firmatot, por nuk them se në gardërobën time kam shumë të tilla. Pasi, edhe daljet e mia publike janë të shpeshta, unë mundohem të marr atë që më pëlqen edhe ato që më shkojnë. Për sa i përket parfumit, nuk më pëlqen ta ndryshoj. Bizhutë janë ato që më pëlqejnë, por shpeshherë e shoh veten ime jashtë shtëpisë pa bizhu, i harroj t'i vë, si rezultat ndoshta i refleksit të asaj kohe në rini, kur donim t'i kishim dhe s'mund t'i kishim. Tregoj kujdes për lukun, nuk bëj ndonjë grim të veçantë.

Keni ndonjë stilist të veçantë, ndonjë linjë?

Jo, mjafton të më pëlqejë dhe të jetë në shijen time.

Sa e vështirë ose e lehtë është të jesh gruaja e Kryeministrit të Shqipërisë?

Thashë, është një status që të jep një farë përgjegjësie, duhet të jesh i angazhuar në aktivitetet protokollare. Duhet të menaxhosh mirë me kohën, duhet të jesh e kujdesshme, nuk e ke atë lirinë, ke një privim të lirisë, pavarësisht se thua se jam e lirë. Por, të qenit një person publik më ka ndihmuar për të zgjidhur edhe shumë probleme të cilat unë kam dashur t'i zgjidh, lidhur me fondacionin, lidhur me problemet e fëmijëve në nevojë.

Pluralizmi është rotacion, mund të jeni gruaja e Kryeministrit sot, mund të jeni gruaja e opozitës nesër, do ta vazhdoni aktivitetin tuaj dhe a mendoni se mbështetja juaj do të jetë e njëjtë për fondacionin tuaj?

Angazhimi do të jetë i njëjtë, gjithmonë do të përpiqem të bëj çfarë të kem mundësi për fëmijët në nevojë. Unë mund të them që mbështetësit kryesore kanë qenë biznesi. Biznesi ka qenë një mbështetje mjaft e madhe për realizimin shumë e shumë problemeve të fëmijëve në nevojë.

Si bashkëshortja e Kryeministrit të Shqipërisë, si një nënë, si një grua, edhe si mjeke pediatre, a keni ju një këshillë për vajzat e reja, për nënat e reja?

Një pyetje shumë e gjerë që po e filloj si grua e Kryeministrit, ose si angazhim ju i imi politik, po i jetës sime me politikën. Do të thosha që jeta është e larmishme, ka të mirat dhe vështirësitë e saj. Këshilla që do të jepja në këtë rast është që përpara vështirësive të mos rrëzohen, të mos humbasin, vështirësi kalojnë të gjithë njerëzit, nuk janë vetëm dhe pas çdo vështirësie do të ndihen më të forta dhe më të fuqishme për ta përballuar dhe për të ecur përpara. Si nënë dhe nënë dhe pediatre, këshilla ndoshta do të ishte në drejtim të familjes. Duhet t'i kuptojmë mirë fëmijët tanë në moshat që ata kanë, në shoqërinë që ata jetojnë, duhet të mbështeten shumë dhe të besojnë shumë tek familje, pasi po të bëjnë një gjë të tillë do të jenë më të qeta, më të forta, do të kenë më pak lot, do të jenë më të suksesshme si nëna dhe si gra. Si pediatre ndoshta këshilla që do të jepja do të ishte për nënat e reja më shumë, shumë më të vëmendshme për çdo ndryshim jo të zakontë që japin fëmijët, shumë të vëmendshme në drejtim të zhvillimit psikomotor të fëmijës dhe jo kaq shumë në drejtim të ushqyerjes me zor apo të përqendrimit të vëmendjes tek ushqyerja e fëmijës. Të dyja duhet të shkojnë paralel dhe jo të zhvendoset kujdesi i prindërit vetëm tek ushqyerja, ushqyerja dhe zhvillimi psikomotor duhet të lidhen bashkë. Çdo nënë duhet të jetë tepër e vëmendshme që shikon tek fëmija.

Zonja Berisha, meqënëse jemi tek pjesa e këshillave, kush do të ishte një e tillë për gratë e politikanëve të rinj?

Për këto zonja mendoj t'u drejtohem, që të mbështesin patjetër bashkëshortët e tyre në punën që ata kanë nisur, të mbajnë sa më larg fëmijëve dhe familjes emocionet politike.

FUND

KOMENTE