English

Ksera: Të zbatohen ligjet për sigurinë në punë

Tiranë, 14 prill, NOA - Nuk është e nevojshme vetëm të miratohen ligje të standardeve evropiane për sigurinë në punë, por duhet që dhe institucionet ti zbatojnë ato. Kjo është deklarata që ministri i Punës, Spiro Ksera, bëri sot gjatë takimit me përfaqësuesit e shoqatave të punëdhënësve dhe punëmarrësve për zbatimin e ligjit "Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë".

"Hartimi dhe miratimi i ligjeve të standardeve evropiane është një hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit, por jo i vetmi, pasi është e domosdoshme që paralelisht të merren masat institucionale për garantimin e implementimit të tij, me qëllim që impakti i përmirësimeve ligjore të jetë i plotë dhe i drejtpërdrejtë", u shpreh ministri Ksera.

Ligji në fjalë ka vetëm dy muaj që ka hyrë në zbatim dhe ministri i Punës u ndal konkretisht në të rejat që sjell ai. Ksera përmendi detyrimin e punëdhënësit për vlerësimin e rreziqeve dhe marrjen e masave parandaluese që burojnë nga ushtrimi i aktivitetit që në fazën e hartimit të projektit.

Sipas Ministrit të Punës "implementimi i legjislacionit të ri për sigurinë dhe shëndetin në punë është i një rëndësie të veçantë dhe ai do të arrihet edhe në saj të bashkëpunimit dhe kooperimit të partnerëve socialë me Inspektoratin Shtetëror të Punës, strukturë kjo e caktuar për kontrollin e zbatimit të tij".

Përfaqësuesit e punëdhënësve dhe punëmarrësve që e morën fjalën dhe që ligji i ngarkon direkt me detyrime dhe të drejta e vlerësuan ligjin dhe u shprehën se do të marrin të gjitha masat, edhe në bashkëpunim me ISHP për zbatimin e tij, me qëllim ruajtjen e shëndetit dhe jetës së punonjësve dhe parandalimin e aksidenteve në punë.

m.xh/NOA

KOMENTE