English

Ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, vizitë zyrtare në Itali

Romë, 14 prill, NOA - Ministri shqiptar i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Itali, me ftesë të ministrit të Pasurisë Kulturore, Bondi, i shoqëruar nga një delegacion në përbërje të të cilit ishin përfaqësues të artit dhe trashëgimisë.

Gjatë takimit të përbashkët, bëhet me dijeni se të dy homologët vlerësuan bashkëpunimin që qeveritë tona kanë me njëra-tjetrën, gjë që e tregon sipas tyre, dhe vizita e ministrit të Jashtëm, Franko Fratini në Shqipëri, si dhe në fushën ekonomike ku protagonist kryesor i mbështetjes ka qenë gjithmonë Italia.

Ndërkaq, të dy homologët ndanë të njëjtin mendim për bashkëpunimin që Shqipëria ka patur me Italinë në fushën e arteve dhe kulturës i cili ka qenë dhe është i një rëndësie të veçantë.

"Kjo, - cilësoi ministri Xhaferaj, - jo vetëm për faktin e fqinjësisë sonë fizike dhe shpirtërore, por edhe sepse Italia ofron vlera bashkëpunuese për vendin e çmuar që zë në të shkuarën dhe të tashmen e artit dhe kulturës botërore".

Më pas, homologët ndanë të njëjtin mendim lidhur me propozimin për një bashkëpunim konkret dhe asistencë teknike lidhur me fushën e arkeologjisë nënujore, trajnimin dhe krijimin e rrjeteve muzeale në Shqipëri, sidomos përmes krijimit të netuorkëve si dhe vijimi i bashkëpunimit për mirëfunksionimin e Qendrës së Restaurimit në Tiranë dhe mundësitë për shndërrimin e kësaj Qendre në një Qendër Rajonale të Restaurimit të kategorisë së dytë UNESCO, ku të shkëmbehen eksperiencat më të mira të restaurimit të të gjithë rajonit.

n.e/NOA

KOMENTE