Tiranë, 14 prill, NOA - Thithja e investimeve të huaja është me rëndësi të veçantë për qeverinë, është shprehur ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti gjatë ceremonisë së prezantimit të një aktiviteti të ri ekonomik në Shqipëri.
"Në Shqipëri ka një aktivitet të dendur ekonomik dhe një kthim të vëmendjes së investitorëve", mësohet të jetë shprehur ai, në ceremoninë e prezantimit të Albacall, një investim italian që mbështetet nga Grupi Abramo.
Më tej, ai vlerësoi faktin se, në Shqipëri vazhdon të rritet stabiliteti ekonomik dhe rritja ekonomike, në një kohë që një pjesë e mirë e fqinjëve të vendit tonë janë duke kaluar një situatë të vështirë ekonomike.
Një gjë të tillë, sipas ministrit, e dëshmon edhe hapja e Albacall, një aktivitet i ri ekonomik në vendin tonë.
"Më vjen shumë mirë kur në një periudhë që fqinjët e Shqipërisë janë duke kaluar një situatë të vështirë ekonomike, në Shqipëri vazhdon të rritet stabiliteti ekonomik, pra rritet ekonomia. Ne si qeveri i japim një rëndësi të jashtëzakonshme thithjes së investimeve të huaja në vend dhe mbështesim një pjesë të rëndësishme të rritjes ekonomike të vendit bazuar mbi investimet e reja në Shqipëri", u shpreh Dritan Prifti.
n.e/NOA