Tiranë, 14 prill, NOA - Partia Socialiste i ka mbështetur dhe do të vazhdojë t'i mbështesë gjithnjë proceset integruese të vendit, sepse këtu nuk bëhet fjalë për interesa të ngushta partiake të njërës apo tjetrës palë, por për interesat madhore afatgjata të shqiptarëve.
I tillë ka qenë reagimi i selisë rozë, pas deklaratave të kryeparlamentares Topalli se ajo duhet të ndihmojë ecurinë e procesit integrues të vendit tonë drejt Bashkimit Evropian.
Përmes deputetit Fatmir Toçi, Partia Socialiste ka deklaruar se "nuk ka sot njeri në Shqipëri që të vërë në dyshim përkushtimin e saj ndaj integrimit të vendit".
"Pikërisht ky përkushtim ndaj integrimit në BE dhe evropianizimit të Shqipërisë qëndron në zemër të kauzës sonë për transparencë e për shpëtimin e demokracisë shqiptare nga ky pushtet i cili vërtet flet për integrimin, por me çdo veprim të tij na provon qartë se synon thjesht e vetëm uzurpimin e të gjithë hapësirës demokratike në vend", tha ndër të tjera deputeti socialist.
Duke theksuar se "pushteti nuk mund të akuzojë Partinë Socialiste se po pengon integrimin, dhe aq më pak mund ta bëjë këtë zonja Topalli, e cila është kthyer në një problem për parlamentarizmin shqiptar".
"E këshillojmë zonjën Topalli që arsyet për pengesat dhe vonesat në procesin e integrimit t' i kërkojë tek ky pushtet që sot ka marrë peng vendin", përfundoi deklaratën e tij deputeti Toçi.
n.e/NOA