Nokia Siemens Networks dhe AMC përkrahin teknologjinë e gjelbër në Shqipëri. Në një ekspozitë arti kushtuar natyrës prezantohet serveri që nuk dëmton ambientin
Tiranë, 15 Prill NOA/ Milena Selimi - Kompania AMC paraqiti në galerinë FAP teknologjinë e brezit të ri Nokia Siemens Networks, që mbron mjedisin, në bashkëpunim të veçantë me artistët e rinj. Të gjitha punimet e artistëve të rinj të Akademisë së Arteve të Bukura ishin të frymëzuara nga mjedisi dhe ruajtja e tij, si dhe nga ndryshimet klimaterike.
Gjatë fjalës së tij, zoti Stefanos Oktapodas, Drejtor Ekzekutiv i AMC, tha se "dita e sotme është ditë e veçantë për ne, sepse festojmë 2 milionë abonentë".
"Mendoj se kjo arritje, - shtoi z.Oktapodas, - jo vetëm shpërblen angazhimin e AMC për t'iu përgjigjur nevojave të komunikimit të abonentëve tanë, por edhe tregon se përkushtimi ynë ndaj teknologjive të reja dhe inovacioneve mund të sjellë rritje të qëndrueshme".
Në këtë ekspozitë veprash arti të lidhura me natyrën dhe mjedisin, Nokia Siemens Networks paraqiti edhe një vepër teknologjike që përfaqëson një hap revolucionar përsa i përket mbrojtjes së mjedisit.
Ky server do të përdoret për herë të parë në Shqipëri nga kompania më e madhe e telekomunikacionit celular AMC e cila po ecën me moton: "AMC e shikon botën e së ardhmes si një ndërthurje të zhvillimit teknologjik me mbrojtjen e planetit".
Serveri është projektuar që jo vetëm të ofrojë shërbimin më cilësor që pritet prej tij, por edhe të mbrojë mjedisin. I gjithë serveri është prodhuar nga materiale të ricikluara duke kursyer mbi 90% të materialeve të përdorura për prodhimin e serverit.
Gjithashtu ky server i përdorur nga AMC është projektuar që të kursejë 80% të energjisë elektrike dhe të prodhojë 80% më pak CO2.
Punimet e ekspozitës ishin të lidhura ngushtë me këndvështrimet e artistëve mbi natyrën në planetin tonë dhe transformimin e vazhdueshëm të saj. Nga ana e artistëve të Akademisë së Arteve të Bukura është punuar shumë kohë deri në përfundimin e punimeve që iu prezantuan publikut në këtë ekspozitë.
Vetë serveri më i fundit i Nokia Siemens Networks është një produkt teknologjik shumë miqësor me ambientin dhe përdoret në vendet më të zhvilluara të Evropës që kujdesen shumë ndaj treguesve mjedisorë. Në Shqipëri është hera e parë që një kompani celulare mbështet përdorimin e teknologjive më të reja që janë në mbrojtje të ambientit.Kompania thotë se do të vazhdojë gjithmonë jo vetëm të mbështesë projekte për ruajtjen e natyrës por edhe do të përdorë vetë e para teknologjinë më të fundit që ka parametrat më të larta në ruajtjen e mjedisit.
e.r/NOA