English

Topi: Marrëveshja e Ohrit, element kyç për të ardhmen e Maqedonisë

Shkup, 14 prill, NOA - Në fjalimin e mbajtur në parlamentin e Maqedonisë, Presidenti i Republikës Bamir Topi ka vlerësuar proceset integrues në këtë vend, por nga ana tjetër ka theksuar se garantimi i të drejtave për shqiptarët do ta shpejtonte këtë proces.

Në fjalën e tij, Topi i është referuar Marrëveshjes së Ohrit si baza e marrëdhënieve mes komuniteteve në Maqedoni dhe ka theksuar se vetëm zbatimi i saj do e çoj më afër BE-së Maqedonisë. Ai ka përmendur të drejtën e shkollimit të shqiptarëve në gjuhën amtare, përdorimin e simboleve kombëtare dhe përfaqësimin në institucionet e Maqedonisë.

"Zbatimi i plotë i saj është element kyç për stabilitetin e Maqedonisë dhe të ardhmen e saj evropiane. Kjo kornizë e rëndësishme ligjore i ka paraparë të gjithë qytetarët e Maqedonisë të barabartë përpara ligjit dhe Kushtetutës duke u garantuar shqiptarëve të drejtat e tyre, të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare dhe të përdorimit të saj, të përdorimit dhe respektimit të simboleve kombëtare, historike e kulturore, të përfaqësimit të drejtë të tyre në institucionet e Maqedonisë dhe një zhvillim harmonik ekonomik në zonat dhe rajonet ku ata jetojnë dhe punojnë në të mirë të familjeve dhe të vendit të tyre", ka thënë kreu i shtetit shqiptarë.

Ai ka shtuar se realizimi kësaj marrëveshje kërkon kontributin dhe bashkëpunimin e të gjitha forcave politike në Maqedoni dhe institucioneve të saj.

Në fjalën e tij kreu i shtetit ka theksuar dhe nevojën e vendeve për të lanë pas të kaluarën dhe largimin e paragjykimeve.

"Çështja është se përveç procesit njohës të njeri-tjetrit ndodh të biem në kurthin e të këqyrurit të tjetrit përmes imazheve nga e kaluara, duke u bërë kështu viktima të paragjykimeve që kanë shoqëruar marrëdhëniet tona në të kaluarën e afërt por edhe të largët", u shpreh Topi para deputeteve të parlamentit të Maqedonisë.

m.xh/NOA

KOMENTE