English

Fatos Kongoli, "Qytetar Nderi" i Elbasanit

Tiranë, 15 prill, NOA /Milena Selimi - Shkrimtari Fatos Kongoli shpallet "Qytetar Nderi" i Elbasanit.

I nderuar dhe përkthyer në shumë gjuhë, tashmë i ka ardhur radha qytetit të tij për ta nderuar, ku mes shumë të ftuarve si përfaqësues të pushtetit lokal, intelektualë, shkrimtarë e të njohur atij iu dorëzua titulli "Qytetar Nderi" nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.

"Kam marrë shumë çmime që kanë qenë momente gëzimi për mua, kam pasur kënaqësi që librat e mi janë botuar dhe vlerësuar dhe jashtë Shqipërisë. Por kënaqësia dhe emocioni që ndjej sot në Elbasan me titullin "Qytetar Nderi" është e pakrahasueshme", - tha Kongoli.

Fatos Kongoli lindi në vitin 1944, në Elbasan dhe mbahet si një nga prozatorët më të mirë të shqipes.

Ka studiuar për matematikë në Kinë, por pas viteve '90, nisi botimin e romaneve të tij, të cilat kanë marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kongoli është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë, i çmimit Velia (2000), si dhe fitues i çmimit ndërkombëtar "Ballkanika", 2002. Në vitin 2004 është shpallur fitues i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri "Penda e Artë". Disa nga romanet e tij janë: "Lëkura e qenit", "Bolero në Vilën e Pleqve", "Jetë në kuti të shkrepëses", "Tek porta e Shën Pjetrit", "Dragoi i Fildishtë", "Ëndra e Damokleut", "Ne të tre", "I Humburi".

m.s/n.e/NOA

KOMENTE