English

Integrimi i Taulant Ballës

Me mungesën e vet, grupi parlamentar i Partisë Socialiste e ka konsideruar më me peshë integrimin e Taulant Ballës me rregulloren e Kuvendit apo me normalitetin e jetës parlamentare, sesa integrimin i Shqipërisë në BE dhe liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë

Nga Astrit Patozi*

Kryetar i Grupit Parlamentar të PD

Shqipëria hodhi dje një hap të rëndësishëm drejt Bashkimit Europian, kur kryeministri i vendit dorëzoi zyrtarisht në Bruksel përgjigjet voluminoze të pyetësorit. Normalisht, pas këtij zhvillimi historik, sot duhet të ishte një ditë e vecantë edhe për parlamentin. Pavarësisht se kujt partie i përkasin, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk mund të kalonin pa e trajtuar dhe diskutuar këtë eveniment të madh. Por, për fat të keq, ne sot nuk e kemi sërish në sallë opozitën, e cila ka marrë një tjetër vendim absurd.

Me mungesën e vet, grupi parlamentar i Partisë Socialiste e ka konsideruar më me peshë integrimin e Taulant Ballës me rregulloren e Kuvendit apo me normalitetin e jetës parlamentare, sesa integrimin i Shqipërisë në BE dhe liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.

Unë e kuptoj solidaritetin mes kolegëve apo mbështetjen që çdo grup parlamentar i jep një anëtari të vet. Por gjykoj se respekti i rregullave të lojës duhet të mbizotërojuë mbi gjithçka tjetër pikërisht këtu në tempullin e ligjbërjes. Përjashtimi i një deputeti, pavarësisht se kujt krahu politik i përket, nuk është asnjëherë vendim i këndshëm. Por ne duhet të jemi gardianë të rregullores, në mënyrë që të paktën një etikë minimale në parlament të zbatohet. Po lejuam që shfaqjet e shëmtuara të shpifjeve dhe fyerjeve të kthehen në epidemi, jemi të gjithë njësoj të dëmtuar dhe kjo nuk është në interes të asnjë pale, pasi dëmton në mënyrë të pariparueshme parlamentarizmin, i cili nuk është pronë i asnjë partie.

Ndërkohë, duhet të jetë e qartë për këdo se asnjë prej institucioneve të Kuvendit legjitim të Shqipërisë nuk mund të shantazhohen dhe Byroja është njëri prej tyre. Kolegët tanë socialistë janë të ftuar që të plotësojnë vendet e veta në Byro, të thonë fjalën e tyre dhe të japin argumentet e veta atje, sa herë që të jetë nevoja për të diskutuar, si kur të jetë fjala për një deputet të mazhorancës, ashtu edhe për ata të opozitës.

Por pas vendimit të tyre sot, ne na lind e drejta të mendojmë dhe besojmë se ka një platformë për të krijuar konflikte artificiale në parlament, dhe se rasti Balla nuk është fenomen i veçuar apo rast sporadik.

Në fakt, mungesa e kolegëve socialistë sot në këtë sallë shkon përtej "dhimbjes" për ndëshkimin dyjavor të Taulant Ballës. Ajo ka në thelb shmangien e një debati të paevitueshëm për vlerën e vërtetë që ka për Shqipërinë evenimenti i djeshëm si dhe për tonet optimiste, që vijnë nga partnerët tanë europianë.

Jashtë cfarëdo lloj kompleksi, kryeministri i vendit deklaroi dje në Bruksel se në përgjigjet e pyetësorit janë 19 vjet përpjekje dhe arritje të Shqipërisë, pra edhe ato që janë kryer gjatë kohës, kur ka qeverisur Partia Socialiste. Dhe një forcë politike serioze duhet ta lexonte drejt përmbajtjen e këtij mesazhi ftues. Një opozitë e përgjegjshme nuk mund të kërkojë t'i njihet ndonjë meritë për të shkuarën e saj, e cila, edhe pse e diskutueshme, nuk po i mohohet, sakohë që i bën bisht detyrimeve dhe angazhimeve të të sotmes.

Patia Socialiste është në të drejtën e vet për të protestuar dhe për të pretenduar më shumë hapësirë për opozitën, por ajo ka gjithashtu edhe detyrimin e madh për të kontribuar me aq sa mundet në proceset integruese të vendit. Përpara se të lodhësh ata dhjetëra militantë të shkretë, apo qoftë edhe vetë deputetët, në grumbullime të mjera, që futesh në mëkat po t'i quash protesta, duhet të garantosh publikisht se je i gatshëm të marrësh rolin që të takon për interesat jetike të vendit. Është qesharake të nxjerrësh njerëzit nga shtëpia për t'i paraqitur sikur janë të revoltuar për mungesën e sinjalit televiziv dhe akoma më komike që të fshihesh pas përjashtimit të Taulant Ballës.

Do të ishte më dinjitoze që Edi Rama dhe përkrahësit e vet të kishin kurajën dhe sinqeritetin për t'iu drejtuar shqiptarëve, por në radhë ë parë zgjedhësve të vet, se nuk e duan integrimin dhe liberalizimin e vizave, sepse kanë frikën malinje se prej kësaj merr kapital politik qeveria.

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste duhet të ishin sot në Kuvend edhe për një arsye tjetër shumë të fortë. Për të provuar se nuk kanë lobuar që proceset integruese të vendit të ndalen apo të ngadalësohen, për të cilat ka pasur shumë prova dhe fakte të besueshme. Kanë qenë përpjekje të dëshpëruara dhe të pasuksesshme në Bruksel, Tiranë e gjetkë të eksponentëve të saj, kryesisht kundër liberalizmit të vizave. Mënyra e zgjedhur dhe, sidomos justifikimi i saj për të evituar debatin parlamentar, është një konfirmim i qartë i faktit se ky lobim i shëmtuar dhe i turpshëm ka ndodhur.

Për fat të keq, historia e këtyre viteve ka treguar se në të gjitha hapat e mëdhenj integrues të Shqipërisë, Edi Rama dhe mbështetësit e tij të afërt kanë qenë qartësisht kundër rrjedhës. Në këtë kuptim vendimi i sotëm për të bojkotuar parlamentin, nuk është, as befasi dhe as koincidencë.

Po t'i kthehemi retrospektivës së afërt, zoti Rama ka përsëritur skenarë të ngjashëm në rastin e marrjes së ftesës për në NATO, gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian si dhe pas ditës historike të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Por sot situata është më e rëndë, sepse po protestohet gjoja për Taulant Ballën. Është njësoj si të kryesh një vepër penale për motive të dobëta. Dhe kjo sigurisht që nuk nderon askënd që është rreshtuar në kampin e opozitës.

Ndaj edhe mungesa e tyre sot lë një shije të hidhur.

Ndërkohë, pavarësisht asaj që ka ndodhur, kolegët tanë të Partisë Socialiste e kanë të hapur ftesën për dialog dhe bashkëpunim. Le të nisim bashkërisht diskutimin për ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor të vendit, duke pasur si udhërrëfyes rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR-it. Sepse ata kemi pasur arbitra të paanshëm ndërkombëtarë. Sepse aty mbështeten, pavarësisht se duke spekuluar, edhe të gjitha pretendimet e tyre për gjoja probleme gjatë procesit të votimit. Sepse vetë kanë deklaruar që problemi i opozitës nuk është rezultati i 28 qershorit, por janë zgjedhjet e ardhshme.

Le të ecim paralelisht, me hetimin e zgjedhjeve dhe me denoncimin në prokurori të rasteve, për të cilat ata pretendojnë se ka pasur shkelje dhe parregullsi. Transparencë dhe respektim i kushtetutës, ka qenë ky binomi i sugjerimeve të partnerëve ndërkombëtarë gjatë gjithë këtyre muajve. Dhe kjo është rruga e vetme për të ecur përpara. Kjo është mënyra e vetme për t'u bërë bashkudhëtarë, e po të duan, edhe bashkautorë, në proceset integruese të vendit.

Ne jemi në pritje. U takon atyre të vendosin. Do të dëshironim shumë që të merrej një vendim i arsyeshëm. Por tek e fundit, në rast se e kanë të pamundur, të paktën të gjejnë një justifikim më të besueshëm, sesa gjoja protesta për solidaritet me Taulant Ballën.

KOMENTE