Tiranë, 15 prill, NOA - Dhuna kundër fjalës së lirë po demonstrohet tashmë edhe në parlament, ku deputetët socialistë Taulant Balla dhe Saimir Tahiri që dolën në emër të opozitës e zgjedhësve të saj, u përjashtuan sepse kritikuan qeverinë.
Kështu deklaroi deputeti Namik Dokle jashtë sallës së parlamentit duke protestuar, ndërsa seanca plenare zhvillohej në mënyrë të rregullt.
"Fjala e lirë është gjëja më e rëndësishme në një demokraci funksionale. Ajo është thelbi i një parlamentarizmi dhe opozita këtë pasuri, nuk do t'ia lërë, në asnjë mënyrë dhe për asnjë moment, qeverisë Berisha", tha më pas ai.
"Ne, për fjalën e lirë, do jemi gjithmonë bashkë me popullin; do jemi këtu në parlament, do jemi në të gjitha protestat që filluan në mbarë Shqipërinë, do jemi të gjithë në 30 prill në bulevardin e madh të Tiranës për të protestuar kundër kësaj qeverie, e cila pasi manipuloi zgjedhjet kërkon të manipulojë gjithçka në Shqipëri", përfundoi më pas Dokle.
n.e/NOA