Tiranë, 15 Prill NOA - Gjykata Kushtetuese ka zbardhur ditën e sotme vendimin e saj nr 15 që lidhet me paktin e qeverisë shqiptare me atë greke për ndarjen e re të kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Vendimi që rrëzonte shtetin shqiptar dhe atë grek, u publikua nga Kushtetuesja disa javë më parë por vetëm sot u zbardh vendimi i plotë që e gjeni më poshtë.
Ankesa u bë nga Partia Socialiste e Shqipërisë, e përfaqësuar nga z.Saimir Tahiri, z.Damian Gjiknuri, z.Myslym Pashaj, me autorizim.
Ndërkohë, subjekt i interesuar ishte Presidenti i Republikës, në mungesë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, i përfaqësuar nga z.Lulëzim Lelçaj, me autorizim, Këshilli i Ministrave, i përfaqësuar nga znj.Marsida Xhaferllari, me autorizim, Ministria e Punëve të Jashtme, e përfaqësuar nga znj.Ledia Hysi, me autorizim, Ministria e Mbrojtjes, e përfaqësuar nga Kundëradmiral Kristaq Gërveni, z.Rezart Tërshana dhe znj.Miranda Zeka, me autorizim.
Objekti i ankesës ishte "Shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".
Pas shqyrtimit të ankesës, Gjykata Kushtetuese vendosi "deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës të marrëveshjes së lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
e.r/NOA
Klikoni këtu për të lexuar vendimin e plotë: