English

Papa, dialog me myslimanizmin dhe hebraizmin

Berlin, 15 prill, NOA - Të hënën mbushen pesë vjet qëkurse Jozef Ratzinger u zgjodh kreu i kishës katolike romake dhe që atëherë, siç ishte edhe titulli i një gazete të madhe bulevardeske gjermane, Gjermania është papë.

Fillimisht gëzimi në popull ishte i madh, por gjatë periudhës së tij në detyrë Benedikti XVI e lëndoi vazhdimisht opinionin. Për momentin miratimi gjendet në minimum për arsye të skandaleve të abuzimit, por edhe trajtimi prej tij i besimeve botërore: myslimanizmit dhe hebraizmit shkaktoi herë pas here kritikë ndaj personit të tij.

Edhe vetë kritikët e tij më të mëdhenj brenda kishës katolike i vërtetojnë Benediktit XVI se e do sinqerisht dialogun me besimet. Që pas vetëm një viti në detyrë papa gjerman e pështjelloi gjithë botën myslimane, këtë teologu zviceran Hans Küng e ka cilësuar si "diçka tejet të pafat". Të tjerë ishin të mendimit se papa ishte këshilluar keq. Fakt është që pas fjalimit të Regensburgut në shtator 2006 në Lindjen e Afërme u dogjën kisha katolike, në Somali madje u vra një murgeshë italiane.

Çfarë kishte ndodhur?

Benedikti XVI kishte mbajtur një fjalim mbi raportin midis arsyes dhe besimit dhe bile e kishte gjykuar Perëndimin si "të pandjeshëm dhe arrogant" kundrejt kulturave të karakterizuara nga besimi, sepse ai vetë nuk kishte më qasje tek besimi, çka e bën të paaftë për dialog.

Por pastaj ai foli për xhihadin, luftën e shenjtë, dhe përdori fjalët e perandorit bizantin Manuel II në bisedë me një dijetar persian:"Po citoj: 'Pa më trego se ç'të reja solli Muhamedi, dhe do të gjesh vetëm të këqija dhe johumane, si për shembull përcaktimi i tij që besimi që predikoi të përhapet me anë të shpatës".

Valë proteste në botën myslimane

Pak më vonë, në botën myslimane shpërtheu vala e protestës. 38 udhëheqës myslimanë nga mbarë bota i dërguan papës një letër të hapur. Përballë kësaj vale proteste dhe dhunës Vatikani u tregua i shokuar. "Papa është keqkuptuar, fjalët janë nxjerrë nga konteksti", u tha.

Gjatë vizitës së tij në Turqi pak javë më vonë Benedikti XVI ia doli t'i zbuste mosmarrëveshjet. Ai vizitoi Xhaminë Blu dhe u takua atje për një lutje në heshtje me myftiun. Ai theksoi veçanërisht të përbashkëtat midis myslimanizmit dhe krishtërimit:

"Pikërisht prej barrës së historisë së përbashkët të karakterizuar aq shpesh nga keqkuptime, myslimanët dhe të krishterët duhet të synojnë që të shihen dhe të njihen si besimtarë të devotshëm të urdhërimeve."

Një ton të ngjashëm kishte edhe udhëtimi i tij në Jordani në 2009-ën, gjatë të cilit ai tregoi, citat, "respektin më të thellë për bashkësinë myslimane".

Mosmarrëveshje edhe me hebraizmin

Fërkime të përkohshme shkaktoi Benedikti XVI edhe në dialogun me hebraizmin. Ai miratoi një lutje, në të cilën kërkohet që zoti të ndriçojë zemrat e hebrenjve, që këta ta dallojnë Jezu Krishtin si shpëtimtarin e të gjithë njerëzve, për besimtarët hebrenj një fyerje e rëndë. Grindje të hapur me hebraizmin dhe protesta në mbarë botën pati në fillim të 2009-ës kur papa hoqi shkishërimin e katër ipeshkvijve, ndër ta mohuesi i Holokaustit, britaniku Richard Uilliamson.

Përsëri nevojitej përballim krize, këtë herë Benedikti XVI e mori vetë penën: Në një letër drejtuar ipeshkvijve të kishës botërore ai pranoi "gabime në punë" të këshilltarëve të tij. Dy muaj më vonë, në kuadër të udhëtimit të tij në Lindjen e Afërme ai vizitoi përkujtimoren e Holokaustit Jad Vashem dhe dënoi në formën më të ashpër asgjësimin e hebrenjve.

DVelle

KOMENTE