Beograd, 15 prill, NOA - "Përmirësimi i raporteve mes Prishtinës e Beogradit është i nevojshëm për të parë ndryshime pozitive në Luginën e Preshevës", deklarata është bërë nga Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe anëtar i Parlamentit të Serbisë. Gjatë një konference për Luginës së Preshevës, Halimi theksoi se "getoizimi i rajonit ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik".
Ai shtoi se "ka në vazhdimësi incidente, pavarësisht pranisë së madhe policore në rajon. Kjo ndikon dhe në mungesën e investimeve".
Politikani tjetër shqiptar nga Lugina e Preshevës, njëherësh kryetar i komunës së Bujanocit, theksoi se duhet gjetur zgjidhje për shkollimin e lartë në gjuhën shqipe. Shaip Kamberi nënvizoi se derisa të zgjidhet problemi i njohjes së diplomave të marra në Kosovë, çështja e arsimimit mbetet shqetësuese.
Milan Markoviç, ministër i qeverisjes lokale pranoi ekzistencën e tensioneve në rajon.
"Në jug të Serbisë, ku popullsia është etnikisht e përzier problemet ekzistojnë Problemi më i madh është se njerëzit jetojnë me të shkuarën", tha Markoviç. Ndërsa ambasadori britanik në Beograd kërkoi rritjen e investimeve në rajon, duke pasur parasysh të shkuarën e afërt.
NOA