English

Spitalet rajonale, ministria: Do japim fonde vetëm për ata që punojnë

Tiranë, 15 prill, NOA- Rreth 30 spitale rajonale në vendin tonë nuk ofrojnë shërbimin e duhur pasi punojnë me kapacitet jo të plotë në krahasim me spitalet e kryeqytetit. Në këtë përfundim kanë arritur ekspertët e huaj të kontaktuar nga ministria e Shëndetësisë sipas një projekti të financuar nga Banka Botërore.

Ky vlerësim i kërkuar nga ministria u bë në kuadër të reformës së financimit për shërbimin spitalor.

Drejtori ekonomik në ministrinë e Shëndetësisë, Sajmir Kadiu tha sot se nga studimi i ekspertëve ka rezultuar se 30 spitalet rajonale të vendit shfrytëzojnë vetëm 20-25 për qind të shtretërve të tyre, megjithëse në vite është investuar për plotësimin e kapaciteteve në pajisje mjekësore.

Sipas këshillave të ekspertëve të huaj, me lidhjen e kontratave të spitaleve me ISKSH dhe blerjen e shërbimeve të tyre nga ky institucion kërkohet një racionalizim i shërbimeve shëndetësore me qëllim që të anashkalohen spitalet që nuk funksionojnë dhe të forcohen shërbimet shëndetësore në ato spitale që përmbushin standardet.

"Qëllimi i kësaj asistence është që të marrim këshilla nga ekspertët e financuar nga Banka Botërore, për të optimizuar burimet financiare dhe humane që disponojmë.

Shqipëria harxhon çdo vit 6 për qind të GDP-së për shërbimin shëndetësor dhe ne duhet të mendohemi mirë për paratë që hedhim me qëllim që të rrisim cilësinë e shërbimit dhe plotësimin e nevojave për ato spitale që u mungojnë", tha Kadiu.

Ekspertët e huaj kanë përfunduar punën për masterplanin i cili u shpjegon zyrtarëve të shëndetësisë se si duhet të shpërndajnë fondet dhe ku duhet të investojnë më shumë. Ky dokument u është shpërndarë drejtuesve të spitaleve dhe brenda dy muajve do vihet në zbatim.

b.a/NOA
KOMENTE