English

"Universalis" e Arapit sot në Prishtinë

Prishtinë, 15 prill, NOA /Milena Selimi - Mustafa Arapi njihet si restaurues, por njerëzit e afërt e njohin dhe si piktor të talentuar. Kjo ka qenë arsyeja që Ministria e Kulturës së Kosovës nuk ka dashur "t'ia dijë" dhe i ka dhënë mundësinë që më 15 prill të jetë në galerinë e këtij institucioni, me ekspozitën e titulluar "Universalis", e cila do të jetë e hapur deri më 30 prill

Janë plot 37 vepra të tij që janë krijuar mes viteve 1992 dhe 2010.

Duhet të kujtojmë se Arapi, gjithmonë ka qenë tepër prezent në kulturën shqiptare përmes punës restauruese dhe studimore, por edhe procesit krijues. Për publikun e Prishtinës do të ekspozohen katër cikle të piktorit ndër vite.

"Do të përfshihen vepra të ciklit të parë që kam pasur me kompozime, të ciklit të dytë me grafika, të ciklit të tretë që vijnë me një frymë metafizike duke marrë spunto nga Bizanti dhe cikli i fundit me grafika me laps, kombinuar edhe me akrilik. Këto vepra përvijojnë një linjë të krijimtarisë sime në vazhdimësinë e viteve", shprehet Arapi.

Do jetë dhe një katalog me këtë rast, kurse ekspozita do të shoqërohet me një katalog, ku në mënyrë simbolike është zgjedhur në kopertinë tabloja "Apokalips".

"Zgjedhja që kam bërë në këtë tablo përfaqëson transformimin e njeriut. Sot, qenia njerëzore është në një kërkim të vazhdueshëm, me shpikje që zëvendësojnë njëra-tjetrën, por që në një moment të caktuar mund t'i kundërvihen vetë krijuesit.

"Universalis" e trajton njeriun si univers të madh, ku kanë ndodhur ngjarjet nga më të çuditshmet: barbaria, mizoria, tradhtia, pabesia. Thirrja ime është: Ku po shkon njeriu?" - ka treguar piktori për median.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE