English

Urgjent - Ismail Kadare anulon vizitën në Greqi: Ushtria juaj na fyeu rëndë

Tiranë, 15 Prill NOA - Skandali i forcave speciale greke që hodhën në paradën ushtarake thirrje antishqiptare ka bërë që shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare të anulojë zyrtarisht vizitën e tij në Athinë, e programuar për t'u realizuar më 19 prill 2010. Z. Kadare ishte i ftuar nga autoritetet e Ministrisë së Kulturës dhe Pallatit të Kulturës (Megaro Muzikis Athinon) për një axhendë me qytetarët në Athinë ku do të prezantohej si një ndër shkrimtarët më të nderuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare.

Vetë Ismail Kadare përmes një letre zyrtare ka deklaruar se ai ka vendosur të mos marrë pjesë në ceremoninë e 19 Prillit 2010 në Athinë, raporton korrespondenti i NOA në Athinë që ka siguruar tekstin e plotë të letrës.

Në letrën e shkrimtarit 74-vjeçar që jeton në Paris, thuhet se "unë kam vendosur të anuloj vizitën time në Athinë, për shkak të ngjarjeve të 25 Marsit 2010 në Athinë, ku forcat ushtarake të Greqisë në paradën zyrtare me rastin e Festës Kombëtare Greke, hodhën parulla antishqiptare".

"Këto thirrje u karakterizuan nga doza racizmi kundër shqiptarëve ndaj unë vendos të anuloj vizitën sime në vendin tuaj", - deklaron z.Kadare në letrën e tij.

"Ju e dini shumë mirë, - vijon shkrimtari shqiptar i përmasave botërore, - që kam admirim për letërsinë greke dhe për kulturën greke, por unë besoj se brenda një klime të tillë, e cila është larg çdo gjurme të qytetërimit, vizita ime do të ishte e papërshtatshme".

Kurse në përfundim Kadare thotë: "Dua shumë të vij në Greqi dhe shpresoj se këtë do ta bëj në të ardhmen".

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i autoriteteve zyrtare në Athinë:

"Me të vërtetë shprehim keqardhje nga ky vendim që ka marrë Ismail Kadare. Ne e kuptojmë se vendimi ka ardhur për arsye se ajo që ndodhi ishte një incident i pakëndshëm i cili është dënuar nga opinioni publik grek", - thuhet në deklaratën zyrtare që ka lëshuar drejtoria e Kulturës dhe Artit.

"Ne besojmë se një përgjigje efektive për sjelljen ekstreme është promovimi i dialogut konstruktiv", - vijon deklarata zyrtare.

Kurse vë në dukje më tej se nisur nga këto argumente, ka bërë "çdo përpjekje për të kthyer mendjen e autorit të vlerësuar me çmime për të ardhur në Athinë".

"Ne shpresojmë se në të ardhmen do të ketë një mundësi të shpejtë për miqtë e shumtë të Ismail Kadaresë për të realizuar mbërritjen e tij në Athinë", - përfundon deklarata.

Nis kalvari me gjykatat: Skandali i ushtarëve grekë, Grupi i Avokatëve padit Ushtrinë

{youtube}hslGF-0KRqI{/youtube}

Çfarë ndodhi më 25 mars 2010

Në videon që shihni, Forcat Speciale shihen teksa parakalojnë në paradë, në rrugët "Panepistimiu" (Rruga Universitare", duke përshkuar më tej rrugën "Santaroza" dhe atë "Agjiu Konstandinu" ("Shën Konstandini". Korrespondenti i agjencisë NOA sqaron se Forcat Speciale të Ushtrisë greke, (ΟΥΚ), zhvilluan paradën zyrtare ushtarake të 25 marsit në kuadrin e festës kombëtare.

Ndërkohë që parakalonin sipas procedurës, ka shpërthyer mes tyre kënga ""Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun tënd do të derdhim, mor derr shqiptar, o derr shqiptar", që në greqisht, u këndua me rimë, kështu: "Elinas gjeniese, dhen gjinese pote, to ema su tha hisume, guruni Alvane, guruni alvane".

Këto dhe të tjera thirrje rrënqethëse, të denja për filma horror, u dëgjuan dje në mes të Athinës.

Thirrjet e frikshme erdhën pikërisht kur Forcat Speciale sapo përshkuan zonën e Sintagma (Kushtetueses) dhe "trimat" u afruan në rrugët "Panepistimiu" dhe "Agjios Konstandinos", nisën të klithnin për kasaphanë ndaj fqinjëve të Greqisë, duke mos kursyer shqiptarët, turqit dhe shkupjanët, siç i njohin qytetarët e FYROM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), raporton korrespondenti i Agjencisë NOA. Dhe duke vendosur kështu "mes vedi" se kush ka të drejtë të quhet grek dhe kush jo.

Thirrja tjetër e këngës horrore, ishte: "Do të bëhet kasaphanë, pastaj do të hakmerrem, kur të adhuroni kishën edhe kryqin", që në greqisht, u dëgjua kështu: "Tha gjini makeljo, meta tha ekdhikitho, otan tha proskinisete, simea ke stavro".

Më tej sikundër dëgjohet dhe shihet dhe në pamjet video që ju keni pranë këtij raporti nga Athina, vijuan dhe frazat për ne shqiptarët dhe për fqinjët e tjerë: "U thonë shkupjanë, u thonë shqiptarë, rronbat e mia do të qep me lëkurën e tyre", që në greqisht, e klithën kështu: "Tus lene skopjanus, tus lene alvanus, ta ruha mu tha rapsod me dhermat'ap'aftus".

Më shumë foto te Galeria

Lexoni si NOA raportoi me detaje skandalin grek

n.s/e.r/NOA

KOMENTE