English

USAID: Ekonomia shqiptare ka tregues pozitiv

Tiranë, 15 prill, NOA- Institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që monitorojnë proceset ekonomike në vendin tonë vlerësojnë se qeveria shqiptare ka përmirësuar klimën për biznesin dhe se treguesit ekonomik janë pozitivë.

Ky vlerësim është dhënë nga Drejtori i USAID-it në Shqipëri, Xhozef Uilliams, gjatë prezantimit të raportit të ACIT, "Tregtia e Jashtme e Shqipërisë në 2009". Në takim kanë qenë të pranishëm dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti si dhe drejtues të autoritete të tjera ekonomike në vend.

Drejtori i USAID-it, në cilësinë e organizatës që ka bashkëpunuar me ACIT në hartimin e raportit, tha se të dhënat e pasqyruara në të kanë mjaft tregues pozitivë për ekonominë shqiptare.

Ai shprehu kënaqësinë për zhvillimet pozitive në Shqipëri në shumë fusha të ndryshme, por sidomos në atë ekonomike. Ulliams shprehu konsidertë të dhe për profilin administrativ në fushën ekonomike të ministrit Dritan Prifti. "Shqipëria është me fat që ka një ministër të staturës së zotit Prifti. Qeveria ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe në lehtësinë e bërjes biznes. Të dhënat e raportit do të ndihmojnë qeverinë dhe ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Aty ka mjaft tregues pozitivë që flasin për ekonominë e Shqipërisë", u shpreh drejtori i USAID-it, Xhozef Uilliams.

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti vlerësoi raportin e ACIT si mjaft të rëndësishëm dhe me vlerë për qeverinë shqiptare, pasi në të paraqiten në mënyrë serioze të dhëna realiste dhe krahasuese me shumë vende të botës. Ai tha se mbi këtë raport duhet të nxjerrin detyra dhe të reflektojnë të gjithë ata që merren me politikëbërje, madje dhe opozita.

Duke u ndalur te raporti i ACIT, Tregtia e Jashtme e Shqipërisë në 2009, ministri z. Prifti vlerësoi faktin se, të dhënat krahasuese të tij tregojnë se ekonomia shqiptare ka vazhduar të rritet në kushtet e një krize globale, në një kohë që shumë vende të rajonit, por edhe vende të tjera në botë, janë përballur me efektet e krizës dhe kanë pësuar rënie ekonomike.

"Edhe ky raport i ACIT tregon që në kushtet e një krize të vështirë për të gjithë botën, Shqipëria ka arritur të tregojë performancë të lartë ekonomike, ka arritur t'i mbijetojë goditjeve që vende të tjera, shumë më të mëdha e të forta si kanë përballuar lehtë, por i kanë përballuar me rënie të theksuar ekonomike. Nëse shohim tabelën krahasuese të shumë vendeve konstatojmë që Bashkimi Europian ka pasur rënie ekonomike 4 për qind gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që rritja ekonomike në Shqipëri është 3-4 për qind. Vende si Amerika, Franca, Italia, Gjermania, Greqia kanë pësuar një rënie prej 5 deri në 5.5 për qind gjatë vitit të kaluar, kurse ne kemi arritur të rritemi dhe jo të biem", theksoi Prifti.

m.xh/NOA

KOMENTE