Tiranë, 15 prill, Milena Selimi, NOA - Familja e Zef Malës, një nga politikanët e majtë më interesantë, vjen sërish për publikun në kuadër të përvjetorit të ditëlindjes së tij me një seri mendimesh nga shkrime publicistike, sociale dhe politike për kujtimin e Zef Malës, që ia kanë botuar familjarët. Nëse do të ishte gjallë më 14 Prill do të kishim një Zef Malë, 95 vjeçar.
Por, më 26 dhjetor 1979 në burgun e Tiranës, kur po vdiste tregon se asnjë utopi nuk mund të mbrohet pa idealizëm dhe nuk mund të rrëzohet pa vetëdijësimin mendor e shpirtëror të njeriut. Për ata që nuk e njohin, është një nga figurat më të jashtëzakonshme të politikës shqiptare.
Ai pati një jetë shumë të trazuar dhe i ka provuar të gjithë ato, që mund të provohen në Shqipëri. Pushtet, lavdi, persekutim, harresë. Shkrimet e tij i përkasin kohës së rinisë para se të ndodhte pendimi i komunistit dhe të niste pjesa më e gjatë e jetës në internime e burgime.
Në vitin 2002 u botua "Vox Populi" i Zef Malës, nga vajzat e tij, Maria dhe Esmeralda, burime të tjera për njohjen e këtij njeriu kanë qenë sporadike. Por etja e publikut të kultivuar ka qenë e madhe. Kryetar i Grupit të Shkodrës, një nga drejtuesit e lëvizjes që çoi në krijimin e Partisë Komuniste dhe në ardhjen në fuqi të saj, kundërshtar i regjimit diktatorial me udhëheqës Enver Hoxhën.
"Thonë se në Shqipni nuk ka opinion publik, thonë se gazetave s'u var kush torbën, thonë se kritikave s'i ven vesh asnjeri", thotë ai diku, sikur të ketë lindur në këtë kohë.
Ishte dënuar nga regjimi fashist si organizator i demonstratave në nëntor 1939, të cilat ai i quan "vepra ime". Rasti i Malës ngjall admirim sepse vepra e tij ishte mendimi i tij. Vepra e tij nuk ishte luftë guerile, por mendim i shpallur rregullisht për dhjetë vjet me radhë, në shkrime, artikuj, broshura, analiza, përkthime.
Fejtonet nga revista "Arbnia" 1935-1937, në Tiranë ku punoi redaktor, analizat politologjike, idetë e një iluminizmi social-kristian, flasin vetë për një bazë teorike të angazhimit aktiv politik dhe filozofik të të riut Zef Mala në Shqipërinë e Monarkisë dhe gjatë pushtimit.
m.s/n.e/NOA