Tiranë, 16 prill, NOA - Angazhimi i qeverisë ruse në Shqipëri, vjen si pasojë rëndësisë së veçantë që ka vendi ynë në rajonin e Ballkanit. Qëndrimi i qeverisë ruse, i është shprehur sot zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta nga ambasadori i Rusisë në Tiranë, Leonid Abramov. Takimi mes dy diplomatëve u zhvillua në kuadër të marrjes së detyrës në vendin tonë të ambasadorit të ri rus.
"Ambasadori i Federatës Ruse, Leonid Abramov shprehu kënaqësinë për pritjen e rezervuar dhe e njohu Meta mbi angazhimin që Qeveria ruse tregon ndaj Shqipërisë si një vend i një rëndësie të veçantë në rajonin e Ballkanit", njofton zyra e shtypit e ministrisë së Jashtme.
Ambasadori rus i përsëriti edhe një herë ftesën e bërë nga ministri Lavrov zëvendëskryeministrit dhe ministrit Meta për të zhvilluar një vizitë në Federatën Ruse në një kohë të përshtatshme.
Nga ana e tij ministri i Jashtëm Ilir Meta e njohu Ambasadorin e Federatës Ruse Abramov, me zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit. Meta, gjithashtu evidentoi vullnetin e Qeverisë Shqiptare për forcimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë.
Në mënyrë të veçantë, ministri Meta u ndal edhe në rolin dhe kontributin e Qeverisë shqiptare për forcimin e paqes dhe stabilitetit ne rajon.
m.xh/NOA