English

BSH: Tregu i parasë, operacione për të injektuar likuiditet

Tiranë, 16 prill, NOA - Banka e Shqipërisë ka qenë e detyruar, për efekt të krizës ekonomike, që gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 të ndërhyjë në tregun e parasë për të injektuar likuiditet brenda tij.

Kështu, burimet zyrtare të saj bëjnë me dijeni se ajo përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e riblerjes me maturim njëjavor mesatarisht të 19.51 miliardë lekëve në javë si dhe instrumentet rregullues me maturim më të gjatë se një javë.

"Me qëllim rritjen në mënyrë të përhershme të likuiditetit në treg, Banka e Shqipërisë organizoi gjatë muajit dhjetor një ankand për blerjen me të drejta të plota, nëpërmjet të cilit u injektuan 2.35 miliardë lekë", thuhet në njoftimin përkatës të Bankës së Shqipërisë.

Më tej thuhet se gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009, depozita njëditore u përdor mesatarisht 0.54 miliardë lekë në ditë, në krahasim me 0.35 miliardë lekë në ditë gjatë tremujorit të kaluar.

Përdorimi i depozitës njëditore ishte më intensiv gjatë ditëve të fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar.

n.e/NOA

KOMENTE